Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në një status në facebook ka akuzuar deputetin e BDI-së, Arbër Ademi, se po refuzon që të rris rrogat e punëtorëve shkencor të instituteve shkencore, pikërisht për shkak se ai është i punësuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Ibrahimi ka deklaruar publikisht se nëse ai e voton edhe ndryshimin e Ligjit të veprimtarisë hulumtuese-shkencore, që të nivelizohen rrogat me arsimin e lartë, është i gatshëm që përqindjen e rritjes së rrogës së tij t’ia jap atij vetë.

“Dje, në Ditën e Shkollës Shqipe, Arbër Ademi ia rriti rrogën vetes për nja 400-500€ plus, duke e ndryshuar Ligjin e arsimit të lartë. Megjithëse duket abuzim me fuqinë e numrave në Kuvend vetëm për arsye personale, besoj se këtë e ka bërë sepse nuk do jetë më deputet dhe i duhet ta sigurojë veten.

Në anën tjetër, ai refuzon që këtë ta bëjë edhe për punëtorët shkencorë të instituteve shkencore, të cilat ka kohë që e kërkojnë këtë dhe shteti vazhdon t’i diskriminojë, madje duke e shkelur ligjin.

Dëgjova se Arbër Ademi këtë refuzim e ka pikërisht për shkakun tim, sepse punoj në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Prandaj po shkruaj që të deklaroj publikisht se nëse ai e voton edhe ndryshimin e Ligjit të veprimtarisë hulumtuese-shkencore, që të nivelizohen rrogat me arsimin e lartë, jam i gatshëm që përqindjen e rritjes së rrogës sime t’ia jap atij vetë. Por, nuk është mirë që për shkakun tim t’i diskriminojë krejt hulumtuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe 230 të punësuarit e tjerë në institucionet hulumtuese shkencore në vend”, ka shkruar Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume