Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka njoftuar se pas përmbylljes së procedurës tenderuese për ndërtimin e gjimnazit të Kumanovës “Sami Frashëri”, sot ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e kompanisë fituese të kësaj procedure.

Shaqiri njofton se gjatë muajit prill do të hidhet gurëthemeli në rrethin e kampusit shkollor në lagjen Bedinjë për objektin krejtësisht të ri për 1200 nxënës të gjimnazit të Kumanovës.

“Po ndaj sot një nga lajmet më të mirëpritura për Kumanovën – pas përmbylljes së procedurës tenderuese për ndërtimin e gjimnazit të Kumanovës “Sami Frashëri”, sot kisha kënaqësinë të nënshkruaj vendimin për zgjedhjen e kompanisë fituese të kësaj procedure. Gjatë muajit prill, pas nënshkrimit të kontratës, do të hidhet gurëthemeli në rrethin e kampusit shkollor në lagjen Bedinjë për objektin krejtësisht të ri për 1200 nxënës të gjimnazit të Kumanovës, ndërsa kompania fituese brenda 24 muajve duhet të dorëzojë çelësat e shkollës së re.
Potencoj që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas pranimit të dokumentacionit dhe lejes së ndërtimit nga Komuna e Kumanovës në muajin janar 2024, në afat rekord e ndoqi procedurën tenderuese, për të zgjidhë problemin 23 vjeçar të gjimnazit të Kumanovës”, ka shkruar Shaqiri.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume