Ministri i Brendshëm, Taulant Balla

Shqipëria është bërë anëtare e Koalicionit Global për adresimin e Rrezikut të Drogave Sintetike i cili ishte propozuar nga Sekretari i Shtetit, Blinken.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e Nivelit të Lartë të Komisionit të Drogave dhe Krimit UNODC, në Vjenë, shprehu shqetësimin se problemi i drogave përbën një kërcënim serioz për vendet e shoqëritë, duke ndikuar në kushtet sociale dhe ekonomike apo sigurinë publike, përcjell klankosova.tv.

“Kompleksiteti dhe shkalla e drogave të forta ka ardhur duke u rritur, duke i ekspozuar përdoruesit ndaj një numri më të madh të substancave psikoaktive. Një gamë e gjerë substancash me veti psiko-aktive, të ofruara në forma të ndryshme, përbëjnë një rrezik potencial për shëndetin, duke çuar në vdekje e helmime”, deklaroi Balla.

Ai shtoi se urgjencës për të luftuar drogat sintetike, e cila mbështetet fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë thirrje për veprim të bashkërenduar nëpërmjet Koalicionit Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike, Shqipëria i është bashkuar si një anëtar i përkushtuar.

Më tej ministri shtoi se “një përgjigje gjithëpërfshirëse kërkon rritje të investimeve në shërbimet shëndetësore, një kornizë të përshtatshme ligjore si dhe shkëmbimin e të dhënave me qëllim ndalimin e përdorimit të substancave të rrezikshme dhe ushtrimin e ndjekjes penale”.

Balla konfirmoi në panel, se qeveria shqiptare është e angazhuar në mënyrë aktive në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, përmes ndryshimeve ligjore për zgjerimin e listës së substancave të ndaluara.

Në mbyllje të fjalës, Balla deklaroi masat në vijim për të luftuar këtë fenomen, që parashikojnë ngritjen e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm në vitin 2025, si dhe Observatorin Kombëtar të Drogës, në 2026, që do të veprojë si organizëm qendror përgjegjëse për mbledhjen, analizimin dhe përpunimin e të gjitha të dhënave të lidhura me drogën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume