Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar qeverisjen e LVV-së.
Përmes një postimi në Facebook, ajo thotë se konfrontimet e Qeverisë Kurti me aleatët janë diçka e re që nuk është parë në 25 vitet e pasluftës.
“Në një kohë kur bota po përballet me turbulenca të mëdha, Kosova po udhëhiqet nga një kastë aventurierësh. Në kohën kur qytetarët tanë kanë nevojë për stabilitet e parashikueshmëri, Kosova ka në krye një qeveri të papërgjegjshme, pa ide e pa vizion. Konfrontimet e hapura tashmë me aleatët tanë na kanë sjellë në një teren tërësisht të pashkelur nga ne tash e 25 vite”, deklaroi deputetja Çitaku.
Ajo e quajti qeverinë “pa projekte konkrete e pa vizion, si në planin e brendshëm, si në politikën e jashtme”.
Për këto arsye, zyrtarja e lartë e PDK-së ka kërkuar zgjedhje parlamentare, pasi, siç thotë ajo, “Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Kurtit”. /Klankosova.tv