Ndërkohë që ekonomia e Gjermanisë ka ngecur në vend, ajo e Italisë po përjeton një hov zhvillimi. Por kjo ka pak të bëjë me politikën ekonomike të kryeministres ultra të djathtë, Giorgia Meloni.

Që prej 25 vjetësh Mauro Congedo dhe vëllai i tij gjejnë ndërtesa të vogla me bukuri arkitektonike në Salento, një gadishull në pikën më juglindore të Italisë, si të thuash në takën e çizmes italiane, në rajonin e Puljas, dhe i renovojnë ato.

Banesat dhe shtëpitë që Congedo restauron në këtë rajon skajshëm, gjejnë blerës edhe nga Gjermania apo Anglia. “Funksionon mirë sërish,” tregon në bisedë telefonike arkitekti 50-vjeçar.

Gjatë pandemisë së Coronës, biznesi u pezullua krejt. Por ajo që po ndodh tani pas Coronës në këtë sektor është “çmenduri”. Dhe koha ngec pak në vend, sepse ai e zgjat „a”-në. Por vetëm në dukje: Congedo nuk gëzohet shumë me hovin ekonomik të Italisë.

Nga fëmijë problematik në motor zhvillimi

Qeveritë e mëparshme të Romës e kanë pasur zakon, sidomos para pandemisë, që të njoftonin prognoza të këqija ekonomike duke arritur pozicione të rëndësishme në radhitjen e borxheve, kurse tani vendi është kthyer në motor zhvillimi në Europë. Tremujorin e fundit ekonomia italiane pati 0,6 përqind rritje, ndërkohë që ekonomia gjermane pati në të njëjtën periudhë kohore 0,3 përqind rënie ekonomike.