Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm në Gaza derisa aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit të shkatërrohen dhe të gjitha pengjet të lirohen.

Deklarata e kryeministrit izraelit vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se Izraeli i kishte propozuar Hamasit një plan me tre faza që synon arritjen e një armëpushimi të përhershëm.

Edhe pse Hamasi ka treguar tashmë se i sheh propozimet “pozitivisht”, nuk ka asnjë garanci që presioni publik nga Biden mbi Izraelin dhe Hamasin për të pranuar planin do të rezultojë në një marrëveshje.

Madje, zyra e Netanyahut tha se “kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës nuk kanë ndryshuar”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

“Shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, lirimi i të gjitha pengjeve dhe sigurimi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”, thuhet në deklaratën e saj.