Presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë zërat të cilët e akuzojnë për një marrëdhënie speciale me Donald Trump, duke theksuar se, politika e SHBA ndaj Rusisë nuk ndryshon pavarësisht se kush është në krye të Shtëpisë së Bardhë. Duke folur me mediat në forumin ekonomik në Shën Petersburg, Putin tha se Moskës nuk i intereson kush fiton dhe se Ukraina nuk bën pjesë në interesat imediate të SHBA.
“Ukraina nuk i intereson askujt në Shtetet e Bashkuara. Ata janë të interesuar për madhështinë e Shteteve të Bashkuara, nuk po luftojnë për Ukrainën, apo popullin e Ukrainës, por për madhështinë e tyre dhe lidershipin e tyre në botë. Në asnjë rrethanë, nuk duan të lejojnë Rusinë të ketë ndonjë sukses, sepse ata mendojnë se kjo do të dëmtojë udhëheqjen e SHBA-së dhe ekzistencën e tyre në forcimin e Shteteve të Bashkuara në botë”, tha Putin.
Sipas Putin, luftën nuk e filloi Rusia por situata e brendshme antikushtetuese në Ukrainë. Për shefin e Kremilinit, në Ukrainë ndodhi një grusht shteti antikushtetues.
“Të gjithë besojnë se Rusia filloi luftën në Ukrainë. Por askush, dua ta nënvizoj këtë, askush në Perëndim, në Evropë, nuk dëshiron të kujtojë se si filloi kjo tragjedi, domethënë me një grusht shteti antikushtetues në Ukrainë: ky ishte fillimi i luftës. A është Rusia përgjegjëse për këtë grusht shteti? Jo”, tha Putin.
Putin përpiqet të relativizojë situatën pas zgjedhore në SHBA. Qoftë me Biden ose Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, asgjë serioze nuk do të ndodhë, përfundoi kreu i shtetit Rus, Vladimir Putin.
Sakaq, lajme jo të mira vijnë nga Europa. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha për mediat se Europa duhet të jetë në gjendje të përballet me luftën deri në vitin 2029. Sipas zyrtarit të lartë gjerman, Putin nuk do të ndalet në Ukrainë. Ne kemi nevojë për gra dhe burra të aftë për të mbrojtur veten dhe që mund të mbrojnë këtë vend. Ne duhet të parandalojmë që më e keqja të arrijë më të keqen.
Pistroius kërkoi nga të rinjtë gjermanë të bëhen pjesë e shërbimit ushtarak, tani më edhe si detyrë për mbrojten e vendit.