Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka bastisur një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potok, ku janë gjetur: armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike.

Gjithashtu, Sveçla ka bërë të ditur se është arrestuar personi, të cilit i janë gjetur armët dhe mjetet eksplozive.

“Vijon suksesshëm angazhimi ynë në ç’rrënjosjen e krimit dhe largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në vendin tonë. Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut. Personit të cilit i janë gjetur këto armë e pajisje është arrestuar dhe lënda është proceduar në Prokurori”.

“Asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cenojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Nuk do të ndalemi së punuari në mbrojtje të interesave tona shtetërore, siguri ndaj vendit e qytetarëve tanë, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, ka thënë Sveçla.

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume