Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për tentim vrasje në fshatin Potok të Podujevës.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, rasti thuhet se ka ndodhur enjten pasdite.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Si pasojë, i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.

Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë e cila dyshohet se është përdorur në rast.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, kanë konfiskuar armën e zjarrit që është përdorur në rast AK-47 me një karikator dhe 9 fishekë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.