Kryetarja e Shoqatës “Nënat e enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës”, Munira Subashiq, i ka dërguar një letër të hapur presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq dhe kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke thënë se fjalët e saj në përkujtim të 29 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë u nxorën jashtë kontekstit dhe se ajo nuk kërcënoi fëmijët e Vuçiqit.
“Konstruktime të tilla dhe manipulime të tilla monstruoze të deklaratave të kryetares së Shoqatës ‘Nënat e enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës’ nuk janë gjë tjetër veçse vazhdimësi e politikës gjenocidale të viteve 1990”, thuhet në letër, raporton media serbe N1, transmeton Klankosova.tv.
Shtohet se “një deklaratë fisnike e nënës është kthyer në kërcënim” dhe se është “një shpikje e re e Alleksandar Vuçiqit, të cilën do ta kishte zili edhe Goebbelsi”.
“Natyrisht, ajo deklaratë i është faturuar kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, menjëherë pas përfundimit të konferencës së Vuçiqit, që deklarata të jetë efektive”, ka shkruar Subashiq.
Ajo deklaroi se “asnjëherë nuk ia ka uruar vdekjen as djalit të Misllav Galliqit, i cili e ka çuar në vdekje djalin e saj, e aq më pak që ka uruar vdekjen e fëmijëve apo nipërve të Alleksandar Vuçiqit”.
“Një mesazh nga Munira Subashiq për Alleksandar Vuçiqin dhe Ana Bërnabiqin – fëmijët tuaj qofshin të gjallë dhe të shëndetshëm, dhe i madhi Allah dhëntë që ata të mirëpresin edhe fëmijët e tyre, që edhe Ana të jetë me fat që të ketë të vetët dhe që të mund të ndjejë se çka është dashuria e vërtetë e nënës”, thuhet në letër.
Ana Bërnabiq: Kërcënim i drejtpërdrejtë për nipërit e mbesat ende të palindur
Ana Bërnabiq ka shkruar në platformën “X” se Munira Subashic “ka bërë kërcënimin më monstruoz deri më tani, jo vetëm për jetën e Presidentit të Republikës së Serbisë, Alleksandar Vuçiq, por një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e fëmijëve të tij dhe nipërit e tij të palindur”.
“Më vjen keq që Alleksandar Vuçiq nuk ishte sponsor i Rezolutës (për Srebrenicën), që nuk u kërkoi falje nënave tona në atë mënyrë. I vdekuri nuk mund të kthehet, por së paku ai ka ende fëmijët e tij. Ai duhet të mendojë për këtë. Nuk është vetëm jeta e tij ajo që është e rëndësishme – jeta e fëmijëve dhe nipërve të tij janë të rëndësishme”, citoi Bërnabiq të ketë thënë Subashiq në përkujtim. /Klankosova.tv