Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq pesë persona. Mësohet se nëpërmjet mashtrimit vodhën të paktën 15 shtetas duke marrë kredi në emër të tyre dhe përvetësuar paratë.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetas për veprën penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Falsifikimit të dokumenteve’. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra të paktën nga 15 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se “nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredisë, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.”