Një i mitur humbi jetën, ndërsa një person tjetër mori lëndime të rënda trupore në një aksident trafiku që ndodhi dje në rrugën magjistrale Kumanovë-Kriva Pallankë, në lagjen Karposh, njoftoi sot SPB Kumanovë.

Në aksidentin rrugor kanë qenë të përfshira një automjet “BMW” me targa kombëtare shqiptare dhe një motoçikletë “Yamaha”.

– Dje, rreth orës 21:40, në SPB Kumanovë është raportuar se në rrugën magjistrale Kumanovë – Kriva Pallankë, në lagjen Karposh – Kumanovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti “BMW” me targa kombëtare shqiptare, drejtuar nga I.B. (37) nga Shkupi dhe një motoçiklete “Yamaha” drejtuar nga një i mitur nga Kumanova. Në aksident, për shkak të plagëve të marra, në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë pasagjeri 15-vjeçar nga Kumanova, ndërsa vdekjen e ka konstatuar një mjek nga Ndihma e Shpejtë. Ndërkohë, drejtuesi 16-vjeçar i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në spitalin e Kumanovës, njoftoi policia.

Një ekip i SPB Kumanovë dhe një prokuror publik kanë kryer hetimet në vendin e ngjarjes, me urdhër të të cilit trupi i të ndjerit është dërguar për autopsi, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar. Automjeti dhe motoçikleta janë dërguar për kontroll teknik të jashtëzakonshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume