Turi diplomatik katërditor në vendet e Ballkanit Perëndimor i kryetares së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në agjendë kryesore diskutimin e progresit të vendeve aspirante drejt BE-së si dhe Planin e Rritjes për gjashtë miliardë euro për rajonin.

“Zgjerimi është prioritet kyç i Komisionit dhe këtë e kemi përsëritur në vitet e kaluara, për të cilën kemi dhënë prova në mandatin e parë dhe sigurisht që do të vazhdojmë ta konsiderojmë prioritet edhe në mandatin e dytë. Kjo është diçka që u njoftua nga vetë presidentja Von der Leyen. Ajo do të diskutojë me liderët ecurinë e rrugës evropiane dhe planin evropian për rritjen e Ballkanit Perëndimor prej 6 miliardë eurosh.”, tha zëdhënësja e BE-së, Ariana Podesta.

Të enjten Von der Leyen në Shkup, Selimi: Nuk besoj të ketë presion mbi RMV-në

Analistët politik janë të mendimit se në takim me kreun shtetëror, shefja e ekzekutivit të BE-së do ta ketë vështirë të bëjë presion për çështjet dypalëshe me Bullgarinë, fakt që pengon vazhdimin e mëtejshëm të integrimit, për shkak se për këtë, nuk ka hapësirë të brendshme politike, potencon njohësi i çështjeve në fjalë, Sefer Selimi.

“Sa i përket presionit për çështjen bilaterale me Bullgarinë, do të jetë e vështirë të bëhet presion sepse aktualisht kryeministri Mickoski duket se blen kohë, duke gjetur arsyetime dhe forma të ndryshme për t’ju shmangur ndryshimeve kushtetuese edhe për shkak të qëndrimeve radikale që i ka patur para zgjedhjeve parlamentare. Këtu duhet të ketë presion të brendshëm, posaçërisht nga faktorët politik të cilët janë pjesë e qeverisë por edhe nga opozita dhe qytetarët, të cilët janë ata që humbin më shumë nga mosrealizimi i reformave dhe procesi i negociatave me Bashkimin Evropian.”, tha për TVM2 analisti politik Sefer Selimi.

Ndërkohë edhe propozimi qeveritar për ndryshimet kushtetuese me efekt prapaveprues, s’do mund të jetë temë diskutimi sepse për këtë alternativë veçmë është mësuar qëndrimin i BE-së nga diplomatë të rëndësishëm të kontinentit evropian, shton Selimi.

“Qëndrimi të paktën i prerë i ministren gjermane Berbok se ndryshime në kornizë nuk do të ketë, flet qartë për disponimin e Bashkimit Evropian.”, tha Selimi.

Von der Leyen, nga Tirana të enjten arrin në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin Mickoski dhe kryetaren e shtetit, Siljanovska Davkova, takim që do të pasohet me një pres konferencë. Nga kryeqendra, Von der Leyen vazhdon udhëtimin në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë për ta përmbyllur në Mal të Zi.