Bayern Munich ka vijuar rrugëtimin pozitiv në Bundesliga, teksa ka mundur këtë të shtunë skuadrën e Union Berlin-it, 3-0, në “Allianz Arena”. Harry Kane ishte edhe një herë në qendër të skenës me dy gola dhe një asistim.
Bavarezët pritën Union-in për llogari të javës së nëntë në Bundesliga, dhe, siç pritej, e dominuan kundërshtarin e tyre, duke rrëmbyer tri pikët.
Serinë e golave për vendasit e hapi i përherëshmi Harry Kane, me anglezin që realizoi në minutën e 15-të me 11 metërsh.
Kane do të ishte njeriu asist te goli i dytë i vendasve i realizuar nga Kingsley Coman në minutën e 43-të.
Në fillimin e pjesës së dytë, pikërisht në minutën e 51-të, Coman do i kthente nderin Kane-t, duke asistuar për anglezin teksa ky i fundit shënoi për 3-0.
Bayern-i ka shënuar golin e 53-të konkurrues nën drejtimin e Vincent Kompany-s (ndeshja e 14-të) dhe u bë klubi i parë nga pesë ligat kryesore të Evropës që arrin shifrën e të paktën 50 golave në këtë sezon.
Me fitoren e arritur, Bayern shkon në kuotën e 23 pikëve në krye të Bundesliga. Tre pikë më pak ka Leizpig-u i vendit të dytë, që gjithashtu ka edhe një ndeshje më pak. Union-i qëndron në vendin e gjashtë me 15 pikë.
Paralelisht me sfidën Bayern – Union, u zhvilluan edhe katër takime të tjera në Bundesliga të përfunduara me rezultatet: Frankfurt 7-2 Bochum, Kiel 1-0 Heidenheim, Hoffenheim 0-2 St.Pauli dhe Wolfsburg 1-1 Augsburg.
Takimi i fundit i ditës në Bundesliga do të jetë një përballje e madhe mes Borussia Dortmund-it dhe Leipzig-ut. Ndeshja e orës 18:30 do të zhvillohet në “Signal Iduna Park”.
Java e nëntë në Bundesliga filloi të premten me barazimin pa gola mes kampionëve dhe nënkampionëve në fuqi të Bundesliga-s, Bayern Leverkusen-it dhe Stuttgart-it.
Kjo javë ndeshjesh në elitën e futbollit gjerman do të mbyllet të dielën me dy përballjet e fundit: Freiburg – Mainz dhe M’Gladbach – Bremen.