Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se shpreson se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do t’i thotë Izraelit ta “ndalë” luftën.

Ai tha se një “fillim i mirë” do të ishte duke e ndërprerë furnizimin e Izraelit me armë nga SHBA-ja

“Trump ka dhënë premtime për t’u dhënë fund konflikteve… ne duam që ai t’i mbajë këto premtime dhe që t’i thotë Izraelit ‘ndalu’”, tha Erdogan për gazetarë duke u kthyer nga Budapesti.

“Fillim i mirë do të ishte që Trump ta ndërpresë mbështetjen me armë për Izraelin, në mënyrë që të ndalet agresioni i Izraelit në tokave palestineze dhe libaneze”, tha ai.

Turqia i ka kritikuar ashpër ofensivat ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Liban, si dhe e ka ndërprerë tregtinë me Izraelin.

Ajo gjithashtu i është bashkuar një rasti për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Presidenca e Trumpit do të ketë ndikim të madh ndaj balancave politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme, tha Erdogan, duke shtuar se mbajtja e qëndrimeve të tanishme amerikane do ta thellojë dhe zgjerojë konfliktin.

Izraeli është duke luftuar kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – tash e një vit.

Lufta, e cila ka lënë mbi 43.000 të vdekur sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, u nxit nga një sulm i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Në atë sulm, luftëtarët e Hamasit i vranë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe i rrëmbyen më shume se 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.

Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të Hamasit.

Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume