Komisioni për revizionin e procedurave për dhënien e lejeve për posedim të armëve ka konstatuar se mbi 5000 lëndë nuk janë përpunuar, ndërsa gjithashtu edhe një numër i madh i lëndëve janë përpunuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, me ç’rast Departamenti për Kontroll të brendshëm pas hetimit themelor dorëzoi te Departamenti për Procedura Disiplinore propozim për zbatimin e procedurave disiplinore – shkarkim për rreth 15-të persona të cilët ishin në pozita udhëheqëse në polici nga pushteti paraprak, informoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.

Toshkovski, duke qenë i ftuar në ditarin e televizionit Sitel, theksoi se në periudhën e fundit u janë dhënë armë njerëzve të cilët ligjërisht nuk kishin të drejtë të posedojnë armë, ndërsa personave që ushtronin të drejtat e tyre nuk u lejohej ta përfundonin procedurën. Ai paralajmëroi edhe digjitalizimin e këtij lloj shërbimi.

“Sipas udhëzimit të prokurorit publik, për të gjithë ata për të cilët do të konstatohet se ka elemente të kryerjes së veprës penale, në periudhën e ardhshme qoftë nesër apo nga e hëna do të parashtrohet kallëzim përkatës penal… Ata merituan të pushoheshin nga puna, ata morën shkarkimin si pjesë e një procedure disiplinore. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik do të vijojë procedurë përkatëse penale për ata për të cilët ekzistojnë”, tha Toshkovski.

Toshkovski njoftoi gjithashtu se është duke u shqyrtuar një ligj i ri që duhet të rregullojë të gjitha të drejtat për armëmbajtje, i cili do të harmonizohet me të drejtat e qytetarëve të BE-së.

“Duhet të kemi një analizë të thellë, duhet të punojmë me përkushtim në interes të qytetarëve, duhet të gjejmë zgjidhje sistematike”, tha Toshkovski.

I pyetur nëse ka informacione për ndonjë kërcënim për sigurinë e shtetit, Toshkovski theksoi se MPB dhe të gjitha institucionet tjera që merren me çështjet e sigurisë janë të gatshme t’u përgjigjen të gjitha sfidave që mund të paraqiten në të ardhmen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume