Në seancën e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, u miratua konkluzioni me të cilin Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani u emërua koordinator nacional për zbatimin e Agjendës reformuese.

Gjatë seancës u miratua propozimi – Modeli për krijimin e strukturës që do të menaxhojë zbatimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje, që rrjedh nga Rregullorja e BE-së 2024/1449 për vendosjen e Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, me të cilin përcaktohet Agjenda Reformuese e Maqedonisë së Veriut, si dhe nga projekt-Marrëveshja për Instrumentin për Reforma dhe Rritje dhe projekt-Marrëveshja për kredi.

Me këtë propozim-Model, Ministria për Çështje Evropiane, në koordinim me institucionet kompetente, duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për operacionalizimin e strukturës, e cila përfshin përgatitjen e të gjitha procedurave, udhëzimeve, dhe dokumenteve të tjera për ndjekjen, raportimin dhe vlerësimin, si dhe kontrollin dhe revizionin e brendshëm financiar publik, për zbatimin e Agjendës reformuese.

Pas miratimit të tekstit të Projekt-Marrëveshjes mbi Instrumentin për Reformën dhe Rritjen, Qeveria autorizoi ministrin Murtezani ta nënshkruajë atë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume