Zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti vlerëson se Albin Kurti e ka thënë të vërtetën se në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe, por ligj për përdorimin e gjuhëve, ndërsa reagimet e BDI-së, të cilët e kanë quajtur antishqiptare deklaratën e Kurtit, janë histerikë dhe në panik. Sipas Mexhitit, e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni lidhet me plotësimin e kuotës prej 20 për qind të popullsisë, e cila u takon të gjitha komuniteteve që e përmbushin këtë kuotë.
“Zoti Kurti tha të vërtetën, në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe, ka ligj për gjuhët, në kuadër të të cilit është paraparë një kuotë prej 20%. Ajo bashkësi etnike që plotëson ose e kalon 20%, në këtë rast shqiptarët kanë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe. Por lidhet me 20%. Titulli i ligjit nuk është Ligji për gjuhën shqipe, por Ligji për gjuhët”, tha Mexhiti.
Për mundësinë që Ligji për gjuhët të kthehet në Kuvend për korrigjimin e neneve të kontestuara që janë në Gjykatën Kushtetuese, Mexhiti thotë se nuk ka vend për shqetësim.
“Mendoj se nuk ka vend për shqetësim, ka iniciativa në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë të bëjnë me ligjin e gjuhëve, kanë të bëjnë me disa nene që nuk janë zbatuar deri më tani dhe pasi qeveria e kaluar e ka dërguar në Komisioni i Venecias për shqyrtim, u miratua edhe nga z. Osmani, ish-ministër i Jashtëm, që këta anëtarë të lirohen, por ne ndjekim dhe jemi garantues që të drejtat e shqiptarëve jo vetëm të mbrohen, por edhe të promovohen”, shton Mexhiti.
Meqë ra fjala, në Gjykatën Kushtetuese është paralajmëruar seancë për 11 dhjetor, ku do të diskutohen tre nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat i referohen përdorimit të gjuhës shqipe në kartëmonedha, uniforma dhe procese gjyqësore. Kjo bëri që Ligji për Përdorimin e Gjuhëve të bëhet temë kryesore, jo vetëm brenda kufijve të shtetit. Opozita kritikon qeverinë se dëshiron të heqë gjuhën shqipe, por qeveria hedh poshtë akuzat.