Vasko Kovaçevski ka kohë që nuk është në vend, por pres që ta sigurojmë dhe ta kthejmë në vend, tha kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për media, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për aksionin e madh policor në të cilin Janë arrestuar ish-menaxherë të Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV), REK “Manastir” dhe filialë të tjerë, të dyshuar për keqpërdorime të prokurimit publik.

Kovaçevski është ish-drejtor i EMV dhe REK “Manastir”.

“23 janë siguruar, minus një që pres që sot së shpejti të sigurohet para drejtësisë. Dhe që të gjithë të japin përgjigje për dyshimet e bazuara. Nga informacionet që kam nga MPB, bëhet fjalë për një grup të mirëorganizuar përfaqësuesish të lartë të kompanisë dhe personave që menaxhonin persona të tjerë juridikë, të cilët u bashkuan dhe dyshohet se kanë kryer një krim prej 6.5 milionë eurosh. Janë gjetur shumë prova, por këtë do t’ia lëmë prokurorisë dhe gjykatave, duhet të besojmë në prezumimin e pafajësisë, por ajo që është gjetur është vërtet shqetësuese. Këtë nuk do ta kthejmë në cirk dhe estradë”, tha Mickoski pas nënshkrimit të marrëveshjes për investim me Zvicrën DM Bau International.

MPB njoftoi se është duke u zhvilluar një aksion policor në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK) dhe se do të përcjellin detajet pas përfundimit të aksionit. Prokuroria ka konfirmuar se aksioni po kryhet nën koordinimin e dy prokurorëve të Prokurorisë Publike.

Aksioni po zhvillohet në Shkup, Manastir, Veles dhe Kërçovë, bëhet fjalë për keqpërdorime në REK “Manastir”, TC “Oslomej” dhe TC “Negotinë”, ndërsa të dyshuar janë persona nga menaxhmentet e mëparshme në EMV-së dhe filialet e saj.