МÇE Murtezani: „Politika e kohezionit është shtyllë kyçe e integrimit evropian dhe shtytës i ndryshimeve“
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Mbështetje nga BE për zbatimin e Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, e organizuar nga Ministria për Çështje Evropiane e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën hyrëse të temës: “ Bashkëpunimi teritorial i përforcuar si një rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm rajonal në makro-rajonin Adriatiko-Jonian”, Ministri theksoi se bashkëpunimi është palca dhe thelbi i solidaritetit, të promovimit të mirëkuptimit të përbashkët dhe padyshim i zhvillimit të qëndrueshëm rajonal. „Në bazën e vetë projektit evropian qëndron angazhimi për avancimin e bashkëpunimit, ndërtimin e urave dhe thyerjen e barrierave që i krijojnë kufijtë. Kjo njëkohësisht është edhe detyra themelore e politikës së kohezionit, si shtyllë mbështetëse e integrimit evropian dhe si një shtytës i ndryshimeve, e cila është veçanërisht relevante për format e ndryshme të bashkëpunimit ndërkufitarë, ku vlerat evropiane njihen dhe zbatohen së bashku me të gjithë faktorët në nivel nacional, rajonal dhe local në Bashkimin Evropian, por edhe më gjërë” – tha ministri Murtezani.
Në vazhdim është teksti i plotë i fjalimit të MÇE, Orhan Murtezanit
Të nderuar të pranishëm, të nderuar panelistë dhe pjesëmarrës!
Kam nder të veçantë, që sot të drejtohem në konferencën që feston frymën e bashkëpunimit dhe thekson rëndësinë e Strategjisë Adriatiko – Joniane në krijimin e një të ardhmeje të përbashkët për rajonin tonë. Kjo nismë është shembull se si përpjekjet e përbashkëta mund t’i transformojnë sfidat në mundësi dhe të krijojnë perspektiva të reja për shoqëritë tona.
Bashkëpunimi është palca dhe thelbi i solidaritetit, të promovimit të mirëkuptimit të përbashkët dhe padyshim, i zhvillimit të qëndrueshëm rajonal. Në bazën e vetë projektit evropian qëndron angazhimi për avancimin e bashkëpunimit, ndërtimin e urave dhe thyerjen e barrierave që i krijojnë kufijtë. Kjo njëkohësisht është edhe detyra themelore e politikës së kohezionit, si shtyllë mbështetëse e integrimit evropian dhe si një shtytës i ndryshimeve, e cila është veçanërisht relevante për format e ndryshme të bashkëpunimit ndërkufitar, ku vlerat evropiane njihen dhe zbatohen së bashku me të gjithë faktorët në nivel nacional, rajonal dhe lokal në Bashkimin Evropian dhe më gjerë.
Janë të shumta nismat e përbashkëta që i ndjekin kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Unionit, së bashku me vendet kandidate dhe partnerët e fqinjë, mes të cilëve, por jo vetëm, vendin e tyre e zënë programet për bashkëpunim ndërkufitar, programet trans-nacionale dhe ndër-rajonale, si dhe strategjitë makro-rajonale. Vendosja dhe avancimi i vazhdueshëm i tyre dhe mbindërtimi është tregues i qartë se bashkëpunimi territorial është një fuqi shtytëse serioze në kuptimin e kohezionit ekonomik, social dhe territorial.
Konferenca ” Bashkëpunimi territorial i përforcuar si rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm rajonal në makro-rajonin Adriatiko-Jonian” po mbahet në moment vërtet vendimtar, në periudhë ku diskutimet për të ardhmen e bashkëpunimit territorial për periudhën pas vitit 2027 janë në kulmin e tyre.
Konsultimet, të cilat ende po vazhdojnë, kryesisht bazohen në ҫështjet që sot do të trajtohen nga panelistët e ҫmuar. Përvoja e tyre e pasur profesionale dhe personale, si dhe lidhja e tyre me aspektet e ndryshme të bashkëpunimit territorial, janë garanci për diskutim të frytshëm. I falënderoj sinqerisht për kontributin e tyre, i sigurt se do të pasurojë kuptimin dhe perceptimin tonë për bashkëpunimin territorial dhe do të nxisë interes për programet e bashkëpunimit territorial, strategjinë Adriatiko-joniane dhe politikën e kohezionit të BE-së në kontekst e zgjerimit.
Konferenca e sotme është pjesë e projektit “Mbështetje nga BE-ja për zbatimin e Strategjisë së BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian në Maqedoninë e Veriut”, financuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar nga Ministria për Çështje Evropiane. U organizuan tetë ngjarje rajonale dhe tre tematike me rreth 400 pjesëmarrës, me qëllim të promovimit të strategjive makro-rajonale. Megjithatë, ato janë ende më pak të njohura, gjë që e kufizon përmirësimin e sinergjisë me programet territoriale dhe pakon nacionale të BE-së.
Strategjitë makro-rajonale nuk kanë burimet e tyre të mjeteve, dhe për këtë arsye përfshirja e tyre në instrumentet e ardhshme financiare të BE-së është me rëndësi vendimtare. Në këtë kontekst, Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin e BE-së, luan rol strategjik. Plani i rishikuar i veprimit i Strategjisë krijon parakushte për integrim më të mirë në bashkëpunimin territorial, ndërkohë që kryesimi ynë i ardhshëm i Strategjisë, do të japë impuls të ri për promovimin e saj.
Programet e bashkëpunimit territorial, të pranishme tanimë 15 vjet, ofrojnë mundësi unike ballafaqim me sfidat e përbashkëta dhe ndërtimin e kapaciteteve në të gjitha nivelet. Por, është i nevojshëm angazhimi i mëtejshëm për harmonizimin e legjislacionit, përpunimi i strategjive nacionale dhe përforcimi i kapaciteteve, veçanërisht në nivel lokal, që të shfrytëzohen plotësisht përfitimet nga politika e kohezionit të BE-së. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë potencialin e plotë të vendit tonë dhe do të sigurojmë standard më të mirë jetese dhe prosperitet.
Në fundi, dua të falënderoj ekipin e Ministrisë për Çështje Evropiane i cili punoi në organizimin e kësaj ngjarjeje, si dhe Komisionin Evropian, i cili me mbështetjen e tij mundësoi realizimin.
Ju Faleminderit për vëmendjen tuaj dhe ju uroj një konferencë të suksesshme!