Kryetari i Tetovës dhe drejtues i Lëvizjea BESA, përmes njê postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se ka marrë çmimin “Grand Excellence 2024” në Tiranë

“Sonte, me ndjenja të thella mirënjohjeje dhe përulësie, pata nderin të marr çmimin “Grand Excellence 2024″ në Tiranë. Një mirënjohje që vlerëson angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur kulturën shqipe dhe posaçërisht librin shqip.

Kjo është një dëshmi e forcës së rrënjëve tona dhe e rëndësisë së bashkëpunimit kulturor mes trojeve tona dhe diasporës shqiptare në perëndim. Aktivitetet kulturore, ruajtja e gjuhës dhe traditave tona janë themeli mbi të cilin qëndron identiteti ynë kombëtar.

Ky çmim nuk është vetëm i imi, por i të gjithë atyre që kontribuojnë çdo ditë për të mbajtur gjallë shpirtin shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve. Falënderime të sinqerta për besimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme!

🇦🇱 Tetova jonë, zemra jonë – gjithmonë në shërbim të kombit dhe kulturës sonë!”, ka shkruar Kasami