Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka vizituar mbrëmë policët e lënduar të cilët u vetaksidentuan në Zveçan.

Sveçla tha se përveç policëve të lënduar, me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, takuan edhe mjekët që po përkujdesen për shëndetin deh trajtimin adekuat, nga të cilët tha se u siguruan se policët po marrin kujdesin më të lartë profesional.

“Teksa gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, falënderoj përzemërsisht të gjithë mjekët të cilët nga mbrëmë kanë bërë të pamundurën që policët tanë të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre”, tha Sveçla, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se shkaqet e aksidentit po hetohen, teksa uroi që policët e lënduar të kthehen sa më shpejt në detyrë.

“Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë. Iu uroj të kthehen sa më shpejt në detyrë, në shërbim të qytetarëve e vendit tonë”, tha ai.

Mbrëmë një autoblindë e Njësisë Speciale është vetaksidentuar në Grabovc të Zveçanit, ku janë lënduar tetë policë, ku tre prej tyre po trajtohen në QKUK.