Filloi fushata “Më pak harxhime, më shumë për ty – Kujdesemi”, e cila përfshin mbi 800 produkte ushqimore me çmime të ulura për të paktën 10%. Në listën e shportës konsumatore për festat e Vitit të Ri përfshihen bukë dhe drithëra, produkte furre, mish dhe përpunime të mishit, peshk, qumësht dhe produkte qumështi, ëmbëlsira, fruta dhe perime të freskëta, të ngrira dhe të konservuara, pije joalkoolike (me gaz dhe pa gaz), pije alkoolike (verë dhe birrë) dhe të tjera. Fushata do të zgjasë deri më 15 janar 2025 dhe çdo produkt në raftet e marketeve do të jetë i shënuar në mënyrë përkatëse.

Inspektorati Shtetëror i Tregut do të kryejë kontrolle nëpër markete për të siguruar respektimin e marrëveshjes së arritur midis Qeverisë dhe tregtarëve.

“Aktualisht janë të përfshira mbi 80 kompani dhe pritet që të bashkanjiten edhe kompani dhe markete të tjera, duke e zgjeruar listën e shportës konsumatore për festat e Vitit të Ri me mbi 1000 produkte. Me këtë masë, ndihmojmë drejtpërdrejt për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, në mënyrë që festat e Vitit të Ri t’i kalojnë në kushte të denja. Kemi dhënë premtim para qytetarëve dhe u obliguam të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi. Po ndërmarrim masa në interes të qytetarëve, po rikthejmë shpresën dhe po ndërtojmë një të ardhme për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.