Projektet aktuale dhe të ardhshme që kanë mbështetjen e BE-së dhe që mund të përmirësojnë ndjeshëm kushtet në bashkësinë lokale, ishin në fokus të vizitës së sotme në Tetovë të ambasadorit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas.
Ambasadori Rokas u takua me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami, si dhe me anëtarët të Këshillit të komunës, si pjesë e një sërë vizitash në komunat e vendit, gjatë të cilave shefi i Delegacionit të BE-së takohet me autoritetet lokale, përfaqësues të iniciativave qytetare, sipërmarrës dhe anëtarët e tjerë të bashkësisë lokale dhe diskutojnë çështje të rëndësishme që prekin komunitetin e caktuar.
Ambasadori Rokas mësoi gjithashtu për historitë e suksesshme të startup-eve nga rajoni i Pollogut që janë rezultat i mbështetjes nga bashkësia evropiane, si dhe mundësitë për zhvillimin e bizneseve vendore përmes promovimit të digjitalizimit. Shefi i Delegacionit të BE-së mori pjesë edhe në hapjen e qendrës së programit 700 Accelerator Hub në Universitetin e Evropës Juglindore, ku dëgjoi idetë dhe planet e 11 startup-eve nga rajoni i Pollogut që janë pjesë e këtij programi.
Programi, i mbështetur nga BE-ja dhe qeveria gjermane, përmes së cilës sigurohen grante, investime dhe mbështetje për startup-et inovative, deri më tani ka nisur biznese të suksesshme në Tetovë dhe rrethinë, me çka sipërmarrës local arrijnë t’i transformojnë idetë e tyre në biznese të qëndrueshme me rritje të dukshme. Në hapjen e 700 Accelerator Hub morën pjesë edhe rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Abdylmenaf Bexheti dhe drejtori i GIZ për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, David Oberhuber.
Në kuadër të vizitës në Tetovë, ambasadori Rokas dhe ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, para sipërmarrësve të interesuar, studentëve dhe mysafirëve të tjerë, i prezantuan përfitimet e Programit të Evropës Digjitale, financuar nga BE-ja, i cili fokusohet në futjen e teknologjive digjitale në biznes, administratë publike dhe mes qytetarëve me qëllim përmirësimin e proceseve të ndryshme në jetën e përditshme.
– E ardhmja e Evropës janë të rinjtë dhe talentet e tyre dhe ata mund të promovohen dhe forcohen nëse universitetet kanë vizionin dhe kapacitetin e duhur. Nuk ka dyshim se transformimi digjital, inovacionet, startup-et dhe sipërmarrësit, edhe në botën e sotme të jostabilitetit të plotë, janë në kërkim të mundësive për zhvillimin e biznesit. Maqedonia e Veriut mund dhe duhet të jetë pjesë e këtij procesi. Me projekte të tilla si EU4growth, që mbështet startup-et lokale, programi i Evropës Digjitale, por edhe përmes Planit të Rritjes, BE-ja krijon mundësi që vendi të ketë veglat për t’iu përgjigjur nevojave dhe sfidave të tregut evropian, i cili po ndryshon me shpejtësi të jashtëzakonshme – theksoi Rokas.