Asma al-Assad, gruaja e presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad, ka bërë kërkesë për divorc dhe ka shprehur dëshirën e saj për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas mediave ndërkombëtare Asma al-Assad është e pakënaqur me jetën e saj në Moskë, ku Asadët kanë banuar në mërgim. Asma dyshohet se ka aplikuar në një gjykatë ruse duke kërkuar leje speciale për t’u larguar nga vendi, me kërkesën e saj aktualisht nën shqyrtim nga autoritetet ruse.
E lindur në Londër në 1975 nga prindër sirianë, Asma al-Assad ka shtetësi të dyfishtë britaniko-siriane. Ajo përfundoi studimet në shkenca kompjuterike dhe letërsi franceze në King’s College në Londër përpara se të ndiqte një karrierë në fushën e investimeve. Asma u martua me Bashar al-Assad në dhjetor 2000.
Çifti ka tre fëmijë: Hafez, Zein dhe Karim. Asma thuhet se ka kërkuar të emigrojë në Londër me fëmijët e saj që nga fillimi i kryengritjes siriane.
Bashar al-Assad, që tani banon nën azil në Moskë, përballet me kufizime të rënda të vendosura nga autoritetet ruse. Edhe pse kërkesa e tij për azil është pranuar, atij i ndalohet të largohet nga Moska apo të angazhohet në aktivitete politike. Autoritetet ruse kanë ngrirë gjithashtu asetet e tij, të cilat përfshijnë 270 kilogramë ar, 2 miliardë dollarë para të gatshme dhe 18 prona në Moskë, pohojnë raportet.