Prodhuesit japonezë të automjeteve “Honda” dhe “Nissan” njoftuan se do të bashkohen për të krijuar prodhuesin e tretë më të madh të automjeteve në botë sipas shitjeve, në një kohë kur industria po kalon nëpër ndryshime dramatike për shkak të kalimit nga karburantet fosile. Në një njoftim të përbashkët, të dy kompanitë njoftuan se kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, ndërsa një anëtar më i vogël i grupit “Nissan”, “Mitsubishi Motors Corp.”, ka pranuar gjithashtu të bashkohet me diskutimet për integrimin e bizneseve të tyre.

Prodhuesit e automjeteve në Japoni kanë mbetur pas konkurrencës në fushën e automjeteve elektrike dhe tani po përpiqen, me kostos më të ulëta, të kompensojnë kohën e humbur. Sipas ekspertëve, “debutuesit” e shekullit të 21-të, si lideri kinez “BYD” dhe kompania amerikane “Tesla”, po “humbasin” tregun.

Presidenti i “Honda”, Toshihiro Mibe, tha se kompania e tij dhe “Nissan” do të përpiqen të bashkojnë operacionet e tyre në një kompani të përbashkët nën një holding. “Honda” do të udhëheqë menaxhimin e ri, duke ruajtur parimet dhe markat e çdo kompanie. Objektivi është që të arrihet një marrëveshje për bashkimin deri në qershor dhe që kompania holding të dalë në bursë në Tokio deri në gusht të vitit 2026.

“Sinqerisht, mundësia që kjo të mos realizohet nuk është zero… Por, arritëm në përfundimin se për të qenë liderë në këtë transformim të lëvizjes, është e nevojshme të bëhet një ndryshim më i guximshëm sesa vetëm bashkëpunimi në disa fusha”, tha Mibe.

“Honda”, “Nissan” dhe “Mitsubishi” kanë rënë dakord më parë për të ndarë pjesë për automjetet elektrike, si bateritë, dhe për të punuar së bashku në softuer për automjetet autonome dhe për të përmirësuar adaptimin e elektrifikimit.