Dhjetëra mijëra shtëpi dhe biznese në Irlandë janë pa ujë dhe energji elektrike në mes të një të ftohti të ashpër në të gjithë ishullin.

Moti i ashpër i dimrit ka çuar në mbylljen e disa shkollave dhe disa kufizime të transportit publik si dhe anulimin e disa shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

Bordi Irlandez i Furnizimit me Energji Elektrike (ESB) tha se 41 000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji të hënën në mëngjes dhe paralajmëroi se mund të duhen ditë për të rivendosur furnizimin për të gjithë klientët.

Autoriteti irlandez i ujit ”Uisce Éireann” tha se një numër i ngjashëm njerëzish ishin pa akses në ujë pas borës së madhe në rajonin jugperëndimor.

Ai tha se do të punonte me ESB për rivendosjen e energjisë në impiantet e trajtimit të ujit dhe stacionet e pompimit, me shpresën se shërbimet mund të rikthehen deri të hënën në drekë.

Megjithatë, të dyja agjencitë thanë se bora dhe kushtet e tjera të këqija të rrugës po krijojnë vështirësi në akses.

Ekzekutivi i Shërbimit Shëndetësor ka anuluar takimet klinike dhe jo urgjente për pacientët ambulatorë në zonat më të prekura.