Dekreti, i nënshkruar nga kryebashkiaku Antonio Torchia, theksonte se popullsia vendase ishte “urdhëruar që të mos sëmurej aq shumë sa gjendja e tyre do të kërkonte shtrimin e menjëhershëm në spital”, raporton BBC .

Torchia tha se vendimi ishte një “provokim i dukshëm humoristik”, por se kishte më shumë ndikim sesa paralajmërimet urgjente që ai u dërgoi autoriteteve rajonale për të tërhequr vëmendjen ndaj mangësive të sistemit shëndetësor.

Rreth gjysma e 1,200 banorëve të Belkastros janë mbi 65 vjeç dhe klinika më e afërt është më shumë se 45 kilometra larg fshatit, tha kryetari i bashkisë. Ai shtoi se shpejtësia e kufizuar gjatë rrugës për në klinikë është 30 kilometra në orë.

Institucioni shëndetësor në fshat funksionon vetëm me ndërprerje, kështu që pacientët nuk mund të shkojnë te mjeku gjatë fundjavave, festave apo jashtë orarit të punës.
Në dekret thuhet gjithashtu se banorët janë të detyruar që “të shmangin sjelljet që mund të jenë të dëmshme”, pra të mos dalin shpesh nga shtëpia, të udhëtojnë apo të luajnë sport, por të kalojnë pjesën më të madhe të kohës brenda.

Rajoni i Kalabrisë është një nga zonat më të varfra në vend. Keqmenaxhimi politik dhe ndërhyrja mafioze kanë shkatërruar sistemin shëndetësor në rajon, i cili ishte vënë nën menaxhim special nga qeveria qendrore 15 vjet më parë, raporton BBC.

Komisionerët e emëruar nga Roma e kanë pasur të vështirë të përballen me borxhin e madh që po mbartin spitalet, duke i lënë kalabrezët ende të përballen me mungesa të rënda të personelit mjekësor, shtretërve dhe listave të gjata të pritjes.

Që nga viti 2009, 18 spitale në rajon janë mbyllur. Në vitin 2022, u njoftua se Kuba do të dërgonte 497 mjekë në Kalabri për tre vjet, për të punuar në objekte të ndryshme mjekësore.