Gjatë festimeve para dhe gjatë Vitit të Ri, 54 objekte hotelierike janë gjobitur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) për shkelje të ligjit. Katër objekte hotelerike janë mbyllur për Vitin e Ri dhe nuk lejohen të punojnë për 15 ditë për shkak të konstatimit të përsëritur të mos lëshimit të llogarive fiskale brenda dy viteve, transmeton Portalb.mk.

Sipas DAP, në periudhën 14-31 dhjetor janë kryer kontrolle në 407 objekte në të gjithë vendin.

“Në 54 objekte të kontrolluara është konstatuar parregullsi, nga të cilët te 36 janë konstatuar se kanë kryer shkelje në përputhje me nenin 21-b të Ligjit për regjistrimin e pagesave me para në dorë, për moslëshim të llogarive fiskale për blerjen e kryer. Te 13 janë konstatuar shkelje sipas nenit 21 të Ligjit për regjistrimin e pagesave me para në dorë, nëse nuk mbajnë libër për raportet financiare ditore dhe pesë gjoba të tjera”, thonë nga DAP.

Kujtojmë se ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski e vlerësoi të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në shtet gjatë natës së Vitit të Ri.

Siç informoi ai, në territorin e shtetit kanë ndodhur gjithsej 29 vepra penale-juridike dhe janë arrestuar 33 persona. Kanë ndodhur 28 aksidente trafiku prej të cilëve tre me lëndime të rënda trupore.