Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Zëvendës Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, raporton Ekonomia Online.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas takimit me zv.sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, ka njoftuar se në këtë takim ju konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

“Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës! Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar Osmani.

Ajo thekson se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës.

“Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Gjatë ditës së djeshme, Verma ka qëndruar në Shqipëri, në kuadër të vizitës së tij në tri shtete të Ballkanit, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate, ditë më parë, ka treguar se cila do të jetë agjenda e diskutimit në Kosovë.

“Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, thuhet komunikatën e DASH-it.