Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të federal i SHBA-së, duke thënë se “kjo nuk do të ndodhë”, transmeton Anadolu.

Në një program të CNN, kryeministri kanadez Trudeau iu përgjigj Trumpit i cili i është drejtuar atij me termin “guvernator provincial”.

Në përgjigje të deklaratës së Trumpit se “Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së”, Trudeau u përgjigj: “Kjo nuk do të ndodhë” duke mbrojtur idenë se çështja e vërtetë mes dy vendeve janë rregulloret në lidhje me taksat doganore.

Trudeau tha se SHBA-ja është një forcë që mund të dëmtojë ekonominë kanadeze, por edhe konsumatorët amerikanë do të dëmtohen nëse produktet kanadeze bllokohen me taksat doganore shtesë.

“Kanadezët janë shumë krenarë që janë kanadezë. Një nga mënyrat më të lehta për të identifikuar veten është fakti që ne nuk jemi amerikanë. Çdo gjë që presidenti i SHBA-së bën për të dëmtuar ekonominë kanadeze do të dëmtojë gjithashtu konsumatorët amerikanë. Nëse punojmë së bashku unë jam i sigurt se mund të bëjmë më mirë”, potencoi Trudeau.

Trump ka deklaruar se Kanadaja duhet të jetë shteti i 51-të i SHBA-së. “Ne kemi më shumë se ata dhe nuk kemi nevojë për asgjë nga ata. Pra, pse po humbasim 200 miliardë dollarë në vit për të mbrojtur Kanadanë?”, ka thënë Trump.