AJDARI – MEXHITI DHE ISENI JANË JO-LEGJITIM

SPASOVSKI: NUK DO TË MBËSHTESIM INTERPELANCAT AS TË FRONTIT EVROPIAN AS TË LEVICËS

Me interpelancën për shkarkimin e Ilire Dautit nga pozita e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale dhe interpelancat për shkarkimin e Izet Mexhitit, Astrit Isenit, Pance Toshkovskit, dhe Ivan Stoilkovic ka filluar seanca e parë e Kuvendit, pas pushimit për festa.

Deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari në konferencë për media ka thënë se zyrtarët e Qeverisë për të cilët Fronti ka ngritur interpelancë, kanë dështuar në kontribimin e ruajtjes së harmonisë ndëretnike por kanë thelluar hendekun mes tyre gjatë festave të 28 nëntorit. Sipas Ajdarit, Mexhiti dhe Iseni janë jo-legjitim.

“Nuk do të lejojmë që interest e ngushta partiake dhe politike të minojnë paqen dhe stabilitetin në Maqedoninë e Veriut, të rrezikojnë të gjitha të arriturat e deritanishme që bazën e kanë në marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët janë dhe do të mbeten garantues të stabilitetit dhe të ardhmes së përbashkët por asnjëherë nuk do të lejojnë që të jenë të diskriminuar madje edhe nga një qeveri që nuk e ka legjitimitetin e tyre” – tha Rina Ajdari, deputete e Frontit Europian.

Megjithatë, interpelancat e ngritura nga Fronti Europian kundër pjestarëve të Qeverisë priten të jenë të pasuksesshme sepse të njëjtat nuk do t’i mbështesë as opozitarja LSDM.

Se nuk do t’i mbështesë interpelancat e Frontit e tha koordinatori, Oliver Spasovski. Sipas tij, BDI-ja në vend se t’i rëndisë faktet dhe argumentet për dështime ka zgjedhur të bëjë show dhe përfitime politike përmes “interesave” kombëtare. Sipas Spasovskit, BDI-ja ka anashkaluar faktet. Ai ka njoftuar se LSDM-ja nuk do ta mbështesë as interpelancën e Levicës kundër Ilire Dautit sepse sipas tij, problem është Afrim Gashi, dhe jo Ilire Dauti.

“Kuvendi i Maqedonisë në asnjë rast nuk duhet të jetë “mejdan” për nxitje të tensioneve ndëretnike dhe hapje mundësish për përçarje mes qytetarëve. Nëse synimet e kërkuesve kanë qenë reale, arsyet e interpelancave në asnjë rast nuk duhet të lidhen me kontekst etnik, por duhet të lidhen vetëm me argumente dhe fakte për punën e një ministri apo zyrtari të caktuar. Dhe, për fat të keq, ka argumente dhe fakte sa të duash për të gjetur një arsye për çdo interpelancë” – tha Spasovski.

Sipas rregullores, deputetët kanë të drejtë 24 orë hapsirë për të diskutuar për një interpelancë dhe në fund të ditës duhet që e njëjta të vihet në votim. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dit më parë ka njoftuar se për cdo interpelancë do të diskutohet ndaras dhe në fund të njëjtat do të vihen në votim. E duke folur për interpelancën e Ilire Dautit, Gashi dit më parë potencoi se pavarësisht rezultatit, deputetja e Frontit Europian do të vazhdojë të jetë kryetare e komisionit dhe nuk do të shkarkohet.