Në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë” afër Strugës, policia shqiptare ka parandaluar kontrabandën e barnave nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe ka arrestuar një banor të Pogradecit.
“Policia kufitare në vendkalimin Qafë Thanë ka arrestuar një 31-vjeçar, i identifikuar si Fatjon Vesho, i cili ka tentuar të kontrabandojë mallra të licencuara nga territori i Maqedonisë së Veriut në territorin shqiptar, të cilën e ka fshehur në një automjet”, qëndron në kumtesën e policisë.
Shtohet se gjatë kontrollit të detajuar të automjetit janë zbuluar pako me barna, importi i të cilave kërkon leje të posaçme. I arrestuari ka tentuar t’i fusë në Shqipëri pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
I arrestuari F.V. do të përgjigjet për veprën penale të “Kontrabandë me mallra të licencuara” para Gjykatës Themelore të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.