Ndotja e ajrit ka arritur nivele të rrezikshme, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, për javën që përfundon më 1 janar 2025, janë regjistruar 331 raste të reja, një rritje alarmante prej 47,1% krahasuar me javën e kaluar, informon Klan Macedonia.

Pulmologia Dr. Deska Dimitrievska, e cila ka vërejtur këtë rritje të pacientëve, thekson se ajri i ndotur është një shkaktar kryesor i problemeve me frymëmarrjen, duke ndikuar sidomos tek ata që vuajnë nga sëmundje kronike. Përveç kësaj, ekspozimi ndaj ndotjes shkakton simptoma të ndryshme, si kruarje të hundës dhe syve, si dhe dhimbje në fyt.

“Një grup tjetër pacientësh që nuk kanë sëmundje kronike, por për shkak të ekspozimit ndaj ajrit të ndotur, këta njerëz përjetojnë simptoma që i detyrojnë ata të kërkojnë kujdes mjekësor, kryesisht kruarje të hundës, sy të kruar dhe të përlotur, dhimbje të fytit dhe ndjenjën e gulçimit. Nganjëherë një kollë që zgjat shumë nuk largohet me terapinë e dhënë dhe këta pacientë kërkojnë edhe ndihmë në institucionin tonë. Absolutisht po, numri është rritur, jo vetëm pacientë me orar të rregullt vijnë çdo ditë, por edhe pacientë që nuk kanë pasur kohë ose nuk kanë mundur të caktojnë takimin e duhur, vijnë me referime prioritare, me referime urgjente, vijnë pa asnjë referim”, thotë Dr.Deska Dimitrievska.

Sipas saj fëmijët e vegjël janë më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit për shkak të sistemit të frymëmarrjes që nuk është zhvilluar plotësisht, ndërsa gratë shtatzëna dhe personat mbi 65 vjeç kanë më shumë mundësi të përjetojnë komplikacione shëndetësore si rezultat i ndotjes

“Më të rrezikuarit janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat mbi 65 vjeç dhe pacientët e çdo moshe që kanë një sëmundje kronike. Të gjitha ato grupe janë më të ndjeshmet, edhe pse e përsëris se edhe njerëzit e shëndetshëm kanë pasoja negative nga ajri i ndotur”, thotë Dr.Deska Dimitrievska

Dimitrievska apelon për ndërhyrje urgjente për të ulur ndotjen e ajrit dhe për masat që mund të ndërmerren në periudhat kur ajri është i ndotur.

“Së pari, kam një apel për marrjen e masave urgjente për uljen e ndotjes. Dëgjojmë për projekte për uljen afatgjatë të ndotjes së ajrit dhe e gjithë kjo është shumë e bukur, e mirëpres dhe e mbështes, por derisa të realizohen ato strategji afatgjata, duhet të veprohet tani dhe menjëherë sepse të gjithë ne pacientët, punonjësit e kujdesit shëndetësor, autoritetet shëndetësore dhe faktorë të ndryshëm ne thithim të njëjtin ajër”, u shpreh Dr.Dimitrievka.

Dimitrievska thekson se nëse dikush preket nga gripi sezonal, rikuperimi në një mjedis me ajër të ndotur mund të jetë shumë më i vështirë dhe i ngadalësuar. Ajo sygjeron që qytetarët të shmangin daljen jashte gjatë periudhave me ajër të ndotur, sepse cdo aktivitet fizik e pershpejton procesin e frymëmarjes, që do të thotë se thtithet një sasi më e madhe e ajrit dhe thithen substanta të dëmshme që që gjenden në ajër, të cilat de fakto janë helme për trupin e njeriut. /tvklan.mk