Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga zjarret që e kanë shkatërruar zonën e Los Anxhelosit, është rritur në 16, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për ta parandaluar përhapjen e zjarreve para se erërat e fuqishme të rikthehen.

Druhet se rikthimi i mundshëm i erërave të fuqishme mund t’i devijojë flakët drejt disa prej vendeve më të famshme të qytetit.

Pesë njerëz vdiqën nga zjarri “Palisades” dhe 11 të tjerë nga zjarri “Eaton”, thanë zyrtarët në Los Anxhelos të shtunën mbrëma.

Para të shtunës natën, numri i konfirmuar i të vdekurve ishte 11, por zyrtarët thanë se prisnin që ky numër të rritej derisa ekipet po i vazhdonin kërkimet nëpër lagjet e bëra rrafsh me tokën.

Autoritetet e kanë hapur një qendër ku njerëzit mund t’i raportojnë të zhdukurit.

Druhet se erërat mund t’i lëviznin zjarret drejt Muzeut “J. Paul Getty” dhe Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos.

Të shtunën në mbrëmje, Cal Fire raportoi se zjarret “Palisades”, “Eaton”, “Kenneth” dhe “Hurst” i kanë djegur rreth 160 kilometra katrorë tokë në Los Anxhelos.

Në një përmbledhje të postuar online të shtunën në mbrëmje, Michael Traum nga Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë tha se 150.000 njerëz në qarkun e Los Anxhelosit janë nën urdhra evakuimi, dhe se më shumë se 700 njerëz janë strehuar në nëntë qendra strehimi.

Cal Fire tha se zjarri “Palisades” është lokalizuar vetëm 11 për qind dhe ai “Eaton” 15 për qind, që nënkupton se lufta për shuarjen e këtyre zjarreve vazhdon.