Mbrëmjen e djeshme, Tirana u trondit nga një atentat me armë zjarri në zonën e “Pallatit me Shigjeta”. Plot 6 plumba u qëlluan në drejtim të 56-vjeçarit Bujar Nasufi, pronar i një biznesi mobilerie.

Raportohet se Nasufi u ekzekutua teksa ndodhej në automjetin e tij, pranë banesës. Dyshohet se autorët kanë ndjekur lëvizjet e viktimës.

Grupi hetimor gjeti në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja arme zjarri. Autori ka zbritur nga një motor të zi kur ka hapur zjarr, ndërsa mësohet se ka qenë i maskuar.
Ai është larguar më pas në drejtim të Saukut. Plagët e marra në trup kanë qenë fatale për Bujar Nasufin dhe ai ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Spitalit të Traumës.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit. Policia ngriti pika kontrolli dhe ushtroi kontrolle në zonë, por pa rënë në gjurmët e autorit.
Gjithashtu, janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së bizneseve përreth, të cilat mund të kenë fiksuar momentin e të shtënave ose largimin e autorit dhe mund të ndihmojnë në identifikimin e tij.

Njoftimi i Policisë:
Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56-vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume