Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se sot janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

Në një postim në Facebook, ai shtoi se me aksion të përbashkët mes MPB-së e PK-së, si dhe MINT-it e MAPL-së përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.

“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, shtoi tutje Sveçla në postim.

Në këtë postim Sveçla ka ndarë me ndjekësit dhe një video ku shihet duke iu adresuar qytetarëve krah ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. E ky i fundit po ashtu shprehet se “këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”.