Proceset eurointegruese janë bllokuar nga kjo Qeveri, ndërsa me këtë edhe e ardhmja e shumë gjeneratave, theksoi deputeti i LSDM-së, Lupço Nikollovski në emisionin Daily Click në TV21, duke shtuar se pushteti aktual i ka tradhtuar pritjet e qytetarëve jo vetëm në lidhje me rrugën europiane, por edhe me atë që ka premtuar para zgjedhjeve.

“Humbim kohë dhe për këto gjenerata dhe për gjeneratat e ardhshme dhe kjo u konfirmua para disa muajve nga funksionimi dhe nga ndarja e Shqipërisë e cila e mbajti konferencën e dytë ndërqeveritare, i hapën kapitujt dhe ne që ngecëm, që sot shikojmë se temat janë raportet ndërtenike, çështjet nacionaliste dhe kështu me radhë”, tha Lupço Nikollovski.

Ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimi i rrugës europiane duhet të jenë prioritet i gjithë shoqërisë, shtoi Nikollovski. Megjithatë, nuk pret që mosplotësimi i këtij qëllimi bashkë me nxitjen e temave ndëretnike, të jenë arsyeja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale.

“Devijimi i asaj rruge dhe ngecja e disa gjeneratave me mos plotësimin e këtij qëllimi dhe në vend të asaj të shkojmë në zgjedhje parlamentare apo të merremi me çështje etnike dhe me retorika nacionaliste, nuk i sjell askujt diçka të mirë. Vlerësoj se e gjithë energjia e shoqërisë duhet të orientohet drejt asaj që të gjithë së bashku ta zhbllokojmë këtë proces”, deklaroi Nikollovski.

Nikollovski shtoi se në periudhën në vijim LSDM do të punojë në përgatitjen e zgjedhjeve lokale me atë që do të kërkojnë kandidatët më të mirë për këshilltarë dhe kryetar komunash.