Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve.

“Sot, pas disa muajsh diplomacie intensive të Shteteve të Bashkuara me Egjiptin dhe Katarin, Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve”, tha ai.

Në një konferencë për media, Biden tha se elementët e kësaj marrëveshjeje përfshijnë atë që ai e kishte paraqitur në vitin 2024.

Faza e parë do të zgjasë gjashtë javë dhe përfshin “një armëpushim të plotë dhe gjithëpërfshirës, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e banuara të Gazës dhe lirimin e një numri të caktuar pengjesh që mbahet nga Hamasi”.
Në këmbim, Izraeli do të lirojë qindra palestinezë të burgosur.

“Jam krenar të them se amerikanët do të jenë pjesë e kësaj faze të parë të lirimit të pengjeve”, shtoi ai.

Ai thotë se Izraeli dhe Hamasi do të negociojnë marrëveshjet e nevojshme në fazën e dytë për atë që do të ishte fundi i përhershëm i luftës.

Ndryshe, konflikti i fundit i Izraelit dhe Hamasit ka nisur më 7 tetor të vitit 2023 pas sulmit të militantëve palestinezë në territorin izraelit.