Në një kohë kur qytetarët përballen me pasiguri, tensione ndëretnike dhe dështime në çdo sektor të qeverisjes, është e qartë se kjo qeveri pa legjitimitet ka humbur tanimë edhe tërësisht besimin e qytetarëve – reagojnë nga BDI-ja, duke potencuar se Shqiptarët janë përjashtuar nga proceset vendimmarrëse, janë shkarkuar padrejtësisht nga pozitat kyçe dhe janë shpërfillur në zbatimin e Ligjit për Gjuhët.

“Institucionet janë kthyer në vegla politike që iu shërbejnë interesave të ngushta, duke injoruar hallet e qytetarëve. Mungesa e projekteve zhvillimore dhe stagnimi në integrimet evropiane janë tregues të qartë të një qeverie të paaftë, e cila i ka tradhtuar qytetarët, veçanërisht ata shqiptarë, që sot ndihen të përjashtuar dhe të nëpërkëmbur. BDI ka qenë dhe mbetet forca e vetme politike që ka garantuar përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe zhvillimin e projekteve madhore për vendin” – thonë nga BDI

Nga ana tjetër, koalicioni VLEN ka shpërndarë një postim të Ministrit Arben Fetai, që lidhet kryekëput me pjesëmarrjen e anëtarëve të këtij koalicioni në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Tramp.

“Shqiptarët janë një nga popujt më pro-amerikanë në botë, por fatkeqësisht një pjesë e politikanëve të tyre tradicionalisht kanë manipuluar me këtë ndjenjë pro-amerikane për përfitime personale. Ata kanë vjedhur, kanë korruptuar dhe janë korruptuar, kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë shkelur rregullat bazë të demokracisë, paradoksalisht duke u thirrur në përkrahjen e SHBA-ve” – thonë nga VLEN.

Por, nga BDI-ja thonë se për t’u kthyer te stabiliteti, drejtësia dhe barazia, sot më shumë se kurrë, është koha për t’i dhënë fund kësaj qeverisjeje të dështuar duke u zotuar se BDI është dhe do të jetë zëri i qytetarëve, mbrojtësi i interesave të tyre dhe garancia e një të ardhmeje më të mirë për Maqedoninë e Veriut.