Suzana Koçibelli, 62 vjeçe, shqiptarja që ishte shpallur e zhdukur që nga data 9 janar, është gjetur e vdekur.

Trupi i saj u gjet në ujërat e lumit Tiber, pranë digës Castel Giubileo, në veri të Romës. Zbulimi u bë nga stafi i Enel, që ishte duke punuar në një hidrocentral në këtë zonë.

Pas nxjerrjes së trupit nga ushtarët dhe zjarrfikësit, ekspertët mjeko-ligjorë nuk kanë gjetur shenja të dukshme dhune. Sipas mjekut ligjor, vdekja e gruas ka ndodhur disa orë pas largimit të saj nga shtëpia.

Policia ka nisur një hetim për të zbuluar shkaqet e kësaj tragjedie, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të analizuar çdo detaj që mund të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Pas denoncimit në polici, familjarët kishin bërë një apel përmes shoqatës Penelope Lazio Odv dhe programit Chi l’ha Visto?, por nuk kishin mundur ta gjenin.

Në një komunikatë, autoritetet kanë shprehur ngushëllimet për familjen e saj dhe kanë kërkuar të gjitha informacionet e mundshme nga qytetarët që mund të kenë parë diçka që mund të ndihmojë hetimin.euronews.al