Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman, Scholz u shprehën në Forumin Ekonomik Botëror pro bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e paralajmëroi presidentin e ri të SHBA-së, Donald Trump, që të mos nisë një luftë tregtare me Evropën duke sinjalizuar edhe gatishmërinë e saj për të negociuar. “Në botë nuk ka ekonomi të tjera që janë aq të ndërthurura sa tonat,” tha ajo në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kompanitë evropiane punësojnë 3.5 milionë amerikanë në SHBA. Po ashtu një milion vende të tjera amerikane pune varen drejtpërdrejt nga tregtia me Evropën. “Vëllimi i tregtisë mes nesh arrin në 1.5 trilion euro, që korrespondon me 30 për qind të tregtisë botërore. Të dyja palët do të rrezikonin shumë,” tha von der Leyen.

Gjatë fushatës zgjedhore Trumpi njoftoi se synon të vendosë tarifa të rejaprej 10 deri në 20 për qind për importet. Madje për mallrat kineze kjo tarifë duhet të shkojë deri në 60 për qind. Ai dëshiron ta përdorë këtë për të forcuar SHBA-në si një vend prodhimi dhe për të ulur deficitin tregtar.

Trumpi i ka halë në sy faktin që kompanitë evropiane shesin dukshëm më shumë mallra në SHBA sesa kompanitë amerikane në BE.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, shprehu në Davos shpresën se SHBA do të mbetet një nga aleatët më të afërt të Gjermanisë edhe në drejtimin e presidentit Trump. Kjo është në interes të të dyja palëve, tha Scholz.

Sidoqoftë kancelari gjerman kërkoi maturi në qëndrimin ndaj SHBA-së. “Jo çdo konferencë shtypi në Uashington, jo çdo postim në Twitter duhet ta zhysë Evropën në debate të nxehta ekzistenciale” – tha ai. Bashkëpunimi i ngushtë midis Evropës dhe SHBA-së është i domosdoshëm për paqen dhe sigurinë globale dhe motor për një zhvillim të suksesshëm ekonomik, tha Scholz-i. DW