Shkruan: Florim Zeqa, 22.01.2025
Kosova po vuan nga idiotët politik!
Politika është art i së mundshmes në kohë dhe rrethana të caktuara. Në politikë ngadhnjen forca kolektive dhe shkathtësia individuale e politikanit. Nuk e bën një politikan të suksesshëm intelegjenca as sinqeriteti, nuk e bën atdhedashuria dhe as ndershmëria, por të suksesshëm e bën aftësia e përfitimit të masave të gjëra popullore dhe e krijimit të marrëdhënjeve ndërkombëtare.
Në poste të larta ministrore zgjedhen idiot(e) politik
Në skenën politike kosovare për fat të keq kemi shumë politikan me intelegjencë të kufizuar, por me ambicie të zgjuar për poste dhe privilegje. Akoma më keq se kaq, kemi politikan të ngritur në poste ministrore pa përgatitje profesionale për ministritë që drejtojnë!
Politikanët që pranojnë të zgjedhen në poste të larta ministrore pa përgatitje adekuate profesionale lirisht mund t’i quajmë idiot politik, të cilët, përveqse nuk janë të aftë të ndërtojnë politika zhvillimore në dikasterin që drejtojnë, e degradojnë atë akoma më shumë.
Pa aluduar në asnjë politikan, është pak më tepër se gabim të zgjedhet ministër i bujqësisë një elektricist apo ministër i shëndetësisë një jurist dhe anasjelltas.
E për fatin e keq, në të gjitha qeveritë e pasluftës kemi pasur raste të tilla të mishmashit politik në qeverisje, kur jo profesionistët i kanë drejtuar ministritë e caktuara.
Angazhimi i njerëzve pa përvojë politike në diplomaci e ka gjymtuar imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Me caktimin e ambasadorëve dhe konsujve analfabet në përfaqësitë diplomatike, përveq imazhit të shtetit, koston e gabimeve ortografike (drejtshkrimore) po e paguajnë mërgimtarët!
Lëshimi i dokumentëve me afat të skaduar!
Është shkruar dhe folur gjatë për përformancën e dobët të ambasadorëve dhe konsujve të Republikës së Kosovës në disa vende të rajonit dhe botës. Nuk janë të rralla rastet kur shkaku i analfabetizmit, naivitetit apo pakujdesisë mërgimtarëve ju lëshohen dokumentat e udhëtimit me afat të skaduar!
Mirëpo këtë më së miri e vërteton rasti i disa viteve më parë në Aeroportin e Verona-s (Itali), ku një familje me qendrim të përkohshëm në Udine (Itali) iu ndalua rrugëtimi tutje drejt Kosovës shkaku i injorancës dhe analfabetizmit të shërbimeve konsullore.
Pavarësisht faktit, se a ishte mungesë e vëmëndjes apo injorancë e zyrtarit konsullor, nëna e re u kthye pas me lotë në sy dhe shpirtë të plagosur së bashku me vajzen e saj tremuajshe shkaku i lëshimeve ortografike në dokument! Pra, shkaku i një zyrtari të papërgjegjshëm konsullor, një nënë e re, një motër e jona nuk arriti të marrë pjesë në varrimin e nënës së saj.
Përveq kthimit prapa, çifti nga Kosova me qëndrim të përkohshëm në Udine (Itali), u përball me një kosto të lartë financiare dhe thyerje të rëndë shpirtërore.
E gjithë kjo konseguencë, familjes kosovare i erdhi si rezultat i injorancës së stafit diplomatik në Ambasadën e Republikës së Kosovës.
Këtë rast e përdora si ilustrim për të tërhequr vëmëndjen e qeveritarëve në ardhje, se kur janë në pyetje përfaqësitë diplomatike duhet të tregohen më të kujdesshëm në caktimin e stafit diplomatik!
Ngase, niveli i lartë apo i ulët intelektual i ambasadorëve dhe konsujve vërehet në secilin takim me mërgatën tonë!
Do të ishte gabim të thuhet se të gjithë njerëzit e politikës dhe përfaqësuesit e stafit diplomatik janë të njëjtë. Kemi pasur dhe kemi diplomat të karrierës që i zbardhin fytyrën shtetit të Kosovës, porse numri i tyre sot është tepër simbolik!
Për të qenë një politikan i suksesshëm në profesionin që e ushtron, duhet t’i nënshtrohet kurseve dhe trajnimeve të vazhdueshme në përputhje me avancimin teknologjik dhe rrethanat e kohës, në mënyrë që të jetë i aftë të përballet me sfidat që prodhon teknologjia bashkëkohore.
Florim Zeqa, 22 Janar 2025