Kirurgut M.S (64) i cili u arrestua për pranim të ryshfetit prej 150 euro në Spitalin klinik të Manastirit, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej tetë ditëve, konfirmoi Prokuroria. Më 28 janar, rreth orës 17, policia e Manastirit në ambientet e Spitalit klinik në Manastir ka arrestuar M.S, kirurg për një kohë të gjatë në Repartin e Kirurgjisë në spital.

Sipas Prokurorisë, dyshimi ka dalë nga fakti se më 27 janar, i dyshuari si person që kryen punë me interes publik, gjegjësisht si mjek kirurg në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Klinik në Manastir, ka kryer një ndërhyrje kirurgjike, dhe më pas në mënyrë indirekte përmes një dëshmitari i ka kërkuar djalit të pacientit që t’i japë para në shumë prej 150 euro për ta shpërblyer për punën e bërë.

Të nesërmen, në ambientet e spitalit, djali i ka dhënë të dyshuarit tre kartëmonedha prej 50 euro në një zarf. Pas pranimit të tyre, i dyshuari është bastisur dhe zyrtarët e autorizuar nga Sektori për Punë të Brendshme Manastir kanë gjetur dhe konfiskuar paratë.

Nga Spitali klinik “Dr.Trifun Panovski” në Manastir njoftuan se Policia e Shtetit Manastir i ka njoftuar për rastin dhe inkurajon organet hetimore që të veprojnë në mënyrë transparente dhe ligjore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume