Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka reaguar përmes një postimi në FB ku mes tjerash tregon se është arrestuar personi që aksidentoi për vdekje 22-vjeçaren.
“Si ministër i Brendshëm, por mbi të gjitha si burrë dhe si baba, nuk mund të mos ndaj ankthin dhe revoltën që po ndjejmë të gjithë këto ditë. Frosina Kulakova, një vajzë e re me një të ardhme të ndritur, nuk është më, sepse jetën ia mori dikush që nuk duhej të ishte kurrë në timon. Ky nuk është thjesht një aksident, ky është rezultat i defekteve në sistem që lejojnë recidivistët të qëndrojnë jashtë kontrollit të institucioneve.
Publiku me të drejtë pyet, si ka mundësi që një person me precedentë penalë, pa leje drejtimi, me një numër të madh të shkeljeve të mëparshme rrugore, të hipë sërish në timon? Këto nuk janë vetëm dilema për diskutim, por një problem real dhe serioz që kërkon zgjidhje konkrete dhe urgjente.
Me këtë rast, MPB e ka proceduar në mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase autorin, është ndaluar, janë bërë analizat e gjakut dhe urinës, si dhe janë siguruar të gjitha provat përkatëse. Por kjo nuk e kthen mbrapsht Frosinën dhe nuk e ndryshon faktin që sistemi lejoi një recidivizëm të tillë.
Këtu duhet rishqyrtuar nëse zgjidhjet ligjore ekzistuese janë të mjaftueshme? A sjellin rezultat masat edukative për autorët e krimeve të rënda apo krijojnë vetëm viktima të reja? A është i përshtatshëm niveli i sanksioneve penale për krimet më të rënda në fushën e trafikut apo është tepër i butë për të pasur një efekt real parandalues?
Çdo vit në vendin tonë humbin jetën në aksidente trafiku mbi 140 persona. Ky numër është i papranueshëm dhe duhet të na detyrojë të bëjmë ndryshime thelbësore.
Detyrimi ynë si shtet është të parandalojmë tragjedi të tilla. Ndaj, po punohet fort që të vëmë në funksion sa më shpejt sistemin “Qytet i sigurt”, i cili do të mundësojë sanksionimin automatik të shkeljeve rrugore, pa drejtësi selektive, pa justifikime, pa ndikimin e faktorit njerëzor. Kontrolli do të jetë më i rreptë, ndëshkimet të pashmangshme. Por asnjë zgjidhje teknike nuk do të mjaftojë nëse sistemi i drejtësisë nuk garanton sanksione adekuate, veçanërisht për ata që tashmë janë treguar të rrezikshëm për të tjerët.
Zemërimi është i kuptueshëm, mosbesimi në institucione është i justifikuar, por kjo nuk duhet të përfundojë vetëm me shkrimin e statuseve të zemëruara në rrjetet sociale dhe me protesta që do të zgjasin disa ditë. Ndryshimet duhet të jenë reale. Të gjithë në sistem duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre.
Ngushëllime të sinqerta familjes së Frosinës” – shkruan Toshkovski.