Maqedonia po e humb betejën kundër largimit të kuadrove profesionale. Të dhënat nga Eurostat tregojnë se së paku 200.000 persona apo pothuajse 10% nga popullsia e përgjithshme e Maqedonisë janë shpërngulur në vendet e Europës në dy dekadat e fundit. Sipas fondit ndërkombëtar monetar vendet drejt të cilave shkojnë qytetarët e Maqedonisë kryesisht janë vendet perëndimore të BE-së si Gjermania, Italia dhe Austria, si dhe Zvicra, e cila nuk është anëtare e BE-së.

Por edhe vendet anëtare të BE-së afër Maqedonisë, siç janë Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria ku vërehet rritje e të shpërngulurve nga Maqedonia në vitet e fundit. Sipas Forumit ekonomik botëror, Maqedonia mban një prej niveleve më të larta të largimit të kuadrove profesionale në botë. Të rinjtë janë të dëshpëruar nga niveli i korrupsionit në vend si dhe nga mungesa e mundësive dhe perspektivës.