Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi mbrëmë në Jabllanicë të Gjakovës, ku tre të mitur humbën jetën pas shembjes së një objekti të vjetër.

Ai u shprehi ngushëllime familjeve Mehmeti, Rama dhe Morina.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku mbrëmë e humbën jetën tre fëmijë, pas shembjes së një objekti të pabanuar. Në këtë periudhë të rëndë, u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve Mehmeti, Rama dhe Morina, duke u lutur që të gjejnë forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është pranë jush në këto ditë të vështira. Kjo vdekje e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin tonë dhe na ka tronditur të gjithëve. Tre djelmoshat u prehshin në paqe”, ka shkruar kreu i qeverisë.