Nga Arben Llalla
Gjithnjë në rastin e festave të fundvitit dhe fillimin e vitit të ri, jepte intervista për kanalet televizive greke Kryepeshkopi i Shqipërisë, i ndjeri Anastasios Janullatos. Ku ai shpaloste tezat e jetës së tij, teza që në mënyrë të përsëritur i ka thënë me dhjetraherë. Ai përpiqej të ngrinte mitet e jetës së tij, ku duhet të bazoheshin ata që në të ardhmen do të merren me jetën dhe figurën e tij. Por autobiografia, sot është një nga burimet, jo i vetmi, sepse studiuesit do shohin dokumentet, do deklasifikohen arkivat sekrete, do flasin dëshmitarë që ndoshta sot heshtin prej trysnive nga drejtime të ndryshme, etj. Pra, sigurisht që historia do merret me të, dhe duket se kjo pjesë, se çfarë do të thuhet për të, pasi ai ka përfunduar tashmë misionin e vet mbi tokë.
Miti i thirrjes misionarike. Kryepeshkop Anastas Janullatosi ka thënë nëpër intervista se u surprizua kur e telefonuan dhe e pyetën nëse donte të vinte në Shqipëri, dhe se kjo kërkesë iu duk e papritur pasi ai nuk dinte asgjë për Shqipërinë. Dhe ai pasi u mendua disa ditë, u përgjigj nga Afrika e largët, se ishte dakort, mjafton që t’a donte Patriarkana, qeveria dhe populli shqiptar. Jemi të mendimit se ky është një mit, pasi Janullatosi kishte kohë që përgatitej për misionin e tij në Shqipëri dhe se zgjedhja e tij u bë prej qeverisë greke dhe kryeministrit Konstandin Micotaqin dhe se ajo ushtroi presion mbi Fanarin, Patriarkanën e Stambollit që të dërgohej Anastas Janullatosi në Shqipëri. Sigurisht historia se si u bind dhe cilat mjete bindëse u përdorën për autoritetet shqiptare, dihen tashmë prej ekspertëve të fushës. Kurse populli shqiptar që reagoi publikisht edhe ditën e fronëzimit të tij, nuk është se e pyeti njeri. Por Shqipërinë Anastas Janullatosi e njihte që në shkollën e oficerave në rezervë që kishte ndjekur në vitet 1952-1954. Ai ishte stërvitur për taktikat e luftës në Shqipëri. Këto të deklaruar nga vetë goja e tij nëpër intervista.
Miti i shpresës së ringjalljes. Kryepeshkop Anastas Janullatosi e proklamonte veten si predikuesin e parë të fesë në Shqipëri dhe se popullit shqiptar që i ishte të ndaluar të kërkonte mistiken dhe shpirtëroren, mundësinë ia dha Eksarku i Fanarit. Edhe ky është një mit, që u thuhet kryesisht grekëve, që nuk janë mësuar me realitete multifetare. Sigurisht që për ortodoksët mund ta ketë bërë ndriçimin e natës ateiste, por besimtarët e feve të tjera, kishin klerikët e tyre po aq dinjitozë dhe kurajozë të cilët filluan të predikonin besimin përkatës. Pra, nuk u ngjall në Shqipëri vetëm ortodoksia nga Janullatosi, u ngjallën të gjitha fetë, por asnjë kryetar tjetër komuniteti, nuk guxoi që të lidhë ngjalljen e besimit, me emrin e tij, sepse në fe, nuk ka vend egocentrizmi, po kjo nuk i përket rastit të Janullatosit, që çdo gjë që ka hapur në kishë, nga gazeta deri te katedralja e Tiranës, që quan “Ngjallja=Anastasis”, për të përjetësuar me këtë mënyrë emrin dhe kultin e individit të tij.
Mitii kishës lokale. Hirësia e tij Anastasi mbështet tezën se erdhi për të ngritur kishën vendore, me klerik vendas, ku gjuha e përdorur do të ishte shqipja, por dinakërisht, e quan kishën shqiptare, si multietnike, dhe justifikon edhe përdorimin e gjuhëve të tjera, sepse kjo kishë, sipas tij, ka edhe anëtarë, grekë, serbo-malazezë, vllehë etj. Sigurisht, ky është një mit, pasi Janullatosi prej 33 vitesh predikonte dhe jepte mesazhe në gjuhën greke, dhe siç do ta shohim pak më poshtë, ka bërë të pamundurën për lëvrimin e greqishtes në shkollat dhe kishat që ka hapur në Shqipëri.
Miti i autonomisë ekonomike. Për çerek shekulli, Janullatosi e mësoi kishën shqiptare që çdo gjë, investimet dhe iniciativa do të vinte prej tij, dhe e vuri në gjumë dhe e dobësoi deri në pasivitet. Në mënyrë që të ushtrojë, nëpërmjet varësisë ekonomike, kontroll absolut mbi të gjitha qarqet dhe në të gjitha nivelet kishtare. Sigurisht, ai shpall se do të ndërtojë disa hidrocentrale për këtë qëllim, por statusi dhe pronësia e tyre është akoma e dyshimtë, siçështë i fshehtë investitori i vërtetë që fshihet pas Janullatosit. Ne, në një shkrim tjetër do të shpjegojmë, se cilit qëllim i shërben ndërtimi i këtij investimi gjigand në energjitikë.
Miti i mbështetjes gjatë krizës në Kosovë. Gjatë intervistave kryepeshkopi i ndjerë Anastas Janullatosi, ndoshta pa dashje, zbulon se ndihmat dhe milionat e dollarëve të mbledhura për gati 30 mijë kosovarë, siç numëron nëpër intervistat, nuk patën origjinën nga bota ortodokse, as nga shteti grek, që në atë kohë ndihmonte Serbinë që bombardohej nga NATO, por nga peshkopët e kishës ungjillore gjermane, të vendeve skandinave dhe Konferencës së Kishave Europiane, që iu përgjigjen kësaj emergjence humanitare.
Miti i restaurimit të monumenteve. Kryepeshkopi Anastas Janullatosi theksonte se janë mirëmbajtur monumentet, por e vërteta është se janë ndërtuar vetëm kisha të reja, me qindra, edhe aty ku nuk ka fare ortodoksë, dhe se tempuj historikë që mbartin historinë e shqiptarëve, janë në rrezik shkatërrimi total, pasi nuk i intereson askujt dëshmia e lashtësisë shqiptare në krishtërim. Ndërhyrjet janë bërë sa për sy e faqe, dhe ne së shpejti do sjellim të dokumentuar se ku janë katandisur monumentet madhështore të shqiptarisë.
Miti i misionarëve të paktë grekë. kryepeshkopi i ndjerë Anastas Janullatosi i referohet disa herë vdekjes së Rrok Mirditës, kryepeshkopit katolik dhe thotë se katolikët kanë rreth 550 misionarë të huaj, priftërinj e murgesha, ndërsa ortodoksët e huaj janë vetëm 10. Sërish, argumenti është qesharak, pasi nuk mund të krahasohen këto dy kisha, ku në katolicizëm koncepti i autoqefalisë është i huaj, por edhe sepse nuk ka asnjë misionar të huaj katolik që të mos dijë shqipen rrjedhshëm, në ndryshim nga misionarët grekë, që nuk duan ta mësojnë shqipen. Shembulli klasik është, që dy nga katër mitropolitët që udhëheqin dioqezat e KOASH-it, komunikojnë edhe pas 30 vjetësh me përkthyes, pra edhe Anastasis i Tiranës, edhe Dhimitrios i Gjirokastrës. Nuk është te sasia, është te cilësia, katolikët e huaj, kanë treguar që e duan shqiptarinë më shumë se misionarët ortodoksë grekë.
Miti i kërcënimit të jetës. Kryepeshkopi i ndjerë Anastas ka deklaruar se në Shqipëri, çdo ditë mund të jetë dita e tij e fundit, dhe rreziqet mund të jenë të jashtme dhe të brendshme. Nëpër intervista, nuk ka harruar asnjëherë të përsërisë historinë e plumbit të snajperit që ka mbetur mes dy xhamave të dritares së dhomës së tij, mit që Nikolaos Goxojanis, ia kishte botuar në një dedikim në një suplement amerikan. Historia qesharake që tregon Janullatosi ka të bëjë me një atentat të dështuar kundër tij, por hirësia bën sikur nuk e di, që qitja me këto lloj armësh nuk ndalohet nga xhami i një dritareje. Ka shumë të ngjarë, që në 1997, xhamin e dritares së Janullatosit ta ketë thyer ndonjë plumb qorr, siç kanë ndodhur dhjetëra raste të ngjashme të atyre ditëve.
Miti i lypsit ndërkombëtar. kryepeshkopi i ndjerë Anastas Janullatosi ka deklaruar sikur të ardhurat ia japin miqtë e tij ndërkombëtarë, duke fshehur faktin që misioni i tij financohet direkt prej shtetit dhe qarqeve greke të diasporës. Ai ka thënë se ka ndërtuar një hidrocentral që do prodhojë dhe shesë energji të mjaftueshme, sa për të mbajtur pavarësinë ekonomike të kishës, por ai harron të thotë se tashmë Kisha ka institucione private fitimprurëse, si spitale, shkolla, universitete, pasuri të patundshme të pafund, që nxjerrin fitime multimilionëshe, dhe që këto të ardhura shkojnë për të mbajtur qendra të çuditshme të mësimit dhe përhapjes së helenizmit në Shqipëri. Në këtë mënyrë, Janullatosi ka treguar se KOASH, tashmë është një kompani që investon në tregun shqiptar me qëllim maksimizimin e fitimit për të financuar misionin e tij, me kulm, përkujdesin për shkollat greke të Korçës, Himarës, Nartës, Durrësit, Tiranës, etj.
Miti i përparësisë paqësore të krishtërimit ndaj islamit. kryepeshkopi i ndjerë Anastas Janullatosi në një pikë të intervistave të tij, harron pozicionin e tij delikat si kryetar i një komuniteti fetar shqiptar, që ruan traditën e harmonisë fetare, dhe sulmon hapur islamin, duke thënë se: “Në Kuran, gjenden vargje që bëhen ushqim për agresivitetin dhe dhunën e Islamit”. Janullatosi ka deklaruar se sot, shumica e terroristëve, frymëzohen nga Islami, por fakti është që përgjatë historisë, edhe krishtërimi është bërë i dhunshëm me kryqëzatat, luftërat, dhunën ndaj muslimanëve, hebrenjve etj. Por Janullatosi këmbëngul në mendimin e tij, se Europa e luftoi krishtërimin dhe boshllëku që kjo gjë la pas, sot tentohet të mbushet nga një fe tjetër, dhe insinuon që Europa po e paguan këtë gabim dhe jep si zgjidhje që vetëm rikthimi në rrënjët kristiane, do të na shpëtojë nga përparimi i tendencave moderne të konvertimit të europianëve në Islam. Kështu, indirekt, i njeh edhe vetes rolin që nëpërmjet ungjillëzimit, po e pengon përhapjen e kësaj fryme dhuneje në Shqipëri.
Miti i vetëpromovimit të kultit vetjak. Gjatë intervistave hirësia e tij, Janullatosi nuk përmend, asnjë shenjtor, asnjë at të kishës, apo teolog botëror, përveçse disa vargjeve biblike mbi dashurinë. Atë që ka bërë ai, në kundërshtim me frymën e përulur që duhet të kenë prelatët ortodoksë, është të jetë autoreferencial i mërzitshëm deri në fund, pra, që idetë gjeniale, vizioni i tij, frymëzimi dhe vendimet e mëdha, i vijnë nga vetvetja, nga mendja e tij, jo nga ndonjë personalitet apo ideal tjetër kishtar. Historia e meditimit të Patmosit, e ritreguar, tregon një dialog të brendshëm kërkimi të Perëndisë dhe vendimi për të ndjekur rrugën e fesë, i buron vetëm nga mendja e tij, me shprehjen e thënë me dhjetëra herë: “A të mjafton Perëndia, dhe nëse jo, te cila Perëndi beson?” Pra, ky mendim i tepër i çmuar nuk gjendet në asnjë libër të shenjtë, veçse buron si pjellë e mendjes së tij.
Gjithnjë Anastas Janullatori përmend se i thoshte vetes (autoreferencë sërish), që për të luftuar rrezikun e egoizmit, përpiqu të ngelesh gjithmonë student dhe dhiakon, kjo, si strategji gjeniale e tij, për të luftuar megallomaninë e peshkopëve dhe profesorëve bashkëkohës me të, duke akuzuar kështu të tjerët dhe duke mburrur vetveten që s’është si të tjerët. Pohime të tilla mburracake i gjen gjatë intervistave që ka dhënë ndër vite.
Miti i origjinës familjare. Janullatosi, ashtu si edhe në intervista të tjera, himnon origjinën e tij prej Pireut, rritjen e tij në qendër të Athinës dhe ndikimin e madh që ka ushtruar në jetën e tij, nëna që ishte shumë besimtare. Por, për çudinë tonë, gjithmonë, kur i referohet familjes së tij, mungojnë komentet dhe kujtimi i të atit, sikurse do ta shmangë rolin dhe prezencën e babait në jetën e tij. Edhe personalitete të tjera e kanë shmangur përmendjen e etërve të tyre, gjë që lidhet me elementë të formimit të karakterit të tyre.
Është e vërtet që nga familja e nënës Anastasios është nga Preveza e Çamërisë, nga fisi Malltezi, por kjo nuk do të thotë se është shqiptar. Në Çamëri kanë jetuar e jetojnë shqiptar, hebrenj, vllah, grek, turq, rom, egjiptas. Ka shumë mundësi që Maltezët të jenë me rrënjë boshnjake të asimiluar në vlleh e më tej në grekë. Zakonisht myslimanët që janë kthyer në ortodoksë për arsye të ndryshme në fillim deklarohen vlleh e më tej grekë. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët mysliman dhe ortodoksë të cilët kalojnë në etnitet vlleh e më tej grek. Ndërsa nga babai ka të ngjarë të jetë arvanitas, me ndërgjegjie greke si miliona arvanitas të tjerë.
Misioni i fundit i Anastas Janullatosit ka qenë që të hapë Fakultetin e Gjuhës Greke, dhe ta atashojë atë, së bashku me Fakultetin Teologjik, brenda Universitetit “Logos”. Anastas Janullatosi ka patur misionin e tij të deklaruar në dy shtylla kryesore, kristianizim të tipit ortodoks dhe helenizim te tipit grekoman. Kështu, Janullatosi i hapi rrugën dhe mitit të fundit, atij të shpalljes së tij shenjtor, sepse edhe murgj të tjerë grekë që e kanë vizituar këtë vend, për këtë janë shenjtëruar nga Fanari, se kanë ortodoksizuar dhe helenizuar, arsye të mjaftueshme këto për t’u bërë kulte adhurimi, për të shtuar mite dhe legjenda megallo ideiste në këto troje.
Por nëse me kristianizimin, statistikat tregojnë frikshëm se Janullatosi ka dështuar, pikërisht sepse e ka përzierë kishën me politikën greke, duke marrë një kishë që numëronte rreth 25% të popullsisë si ortodokse, duke ke katandisur në kufirin skandaloz të rreth 10%, sipas statistikave zyrtare dhe kokëforta të censusit të fundit, që hirësia e tij nuk dëshiron t’i pranojë kurrë.
Kështu, ai nuk ka hezituar ta shkatërronte institucionin historik të KOASH-it, duke e sakrifikuar atë pa mëshirë në altarin e greqizimit me çdo kosto dhe pa llogaritur asnjë pasojë, të popullit shqiptar. Por nëse me kristianizimin dështoi, se i largoi njerëzit duke i ofenduar në gjënë më të shenjtë, në identitetin kombëtar, me helenizimin dështojë akoma më rëndë, pasi ky popull heroik, ka treguar se prej luftërave, genocideve, përpjekjeve për asimilim apo dhe zhbërje, ka dalë akoma edhe më i fortë.
Historia do e tregojë jetën dhe veprën e tij, jo si nëpër intervistat e porositura nëpër kanalet shtetërore greke, por sipas fakteve të pamohueshme, mbështetur në metodologji të sakta dhe të paanshme shkencore. Dhe sërish, e çliruar një ditë prej hijes së tij, Kisha Ortodokse Shqiptare do t’i kthehet ditëve të lavdisë së saj të dikurshme në ballë të zhvillimeve shpirtërore dhe atdhetare të kombit shqiptar, siç e konceptuan dhe e ideuan etërit e saj themelues.