Lëvizjes Vetëvendosje i është shtuar edhe një ulëse në Kuvendin e Kosovës pas fillimit të numërimit të votave me postë.

Teksa janë numëruar 23 përqind e këtyre votave, partia që fitoi zgjedhjet arrin në 51 mandate.
Kjo ia lehtëson punën Albin Kurtit, kryetarit të Vetëvendosjes për formimin e institucioneve me vetëm minoritetet jo-serbe dhe Nenad Rashiqin. Me numrat që ka deri tani, mbështetja me votë për në Kuvend, arrin në 60, një më pak se sa që kërkon kushtetuta.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga numërimi i deritanishëm i votave përmes postës, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 69% të votave të diasporës, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 16%, Partia Demokratike e Kosovës me 6% e Aleanca me 4%.

Vetëvendosjes i ishin shtuar edhe dy mandate të tjera pas numërimit të votave në përfaqësitë diplomatike, duke e çuar në 3 numrin e ulëseve që deri tani kjo parti ka fituar vetëm nga votimi i diasporës.

Ky rezultat ka ndryshuar edhe numrin e mandateve të partive politike në Kuvendin e Kosovës. Derisa Vetëvendosje është rritur në 51, Partia Demokratike e Kosovës është tkurrur në 23, Lidhja Demokratike e Kosovës në 19 mandate dhe Aleanca në 7 mandate.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon numërimi i votave me postë, derisa pa numëruar kanë mbetur edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të shpallë rezultatet përfundimtare në fund të muajit qershor, e t’i certifikojë ato më së largu më 6 korrik.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume