Miliarderi Elon Musk, i cili tashmë është pjesë e qeverisë amerikane, i ka shpallur luftë agjencisë federale amerikane USAID dhe kërkon mbylljen e saj.
Në një postim në rrjetin e tij social X, Musk e ka konsideruar USAID-in një “organizatë kriminale”.
Elon Musk së bashku me Vivek Ramaswamy drejtojnë Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (Doge), si pjesë e përpjekjeve të Donald Trump për të ulur shpenzimet federale.
Për këtë arsye, Presidenti Trump ka bllokuar të gjitha fondet e USAID deri në një vendim të dytë, çka ka shkaktuar ndërprerje të ndihmave në të gjithë botën përmes kësaj agjencie, me përjashtim të rasteve për nevoja humanitare.
Por duket se Elon Musk kërkon ta mbyllë tërësisht USAID-in dhe jo ta ristrukturojë.
Konflikti mes tij dhe agjencisë federale nisi në fundjavë kur përfaqësues të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë u tentua që të ndaloheshin të kishin akses në godinën e USAID.
Kjo shkaktoi edhe reagimin e Musk. Ndërsa Presidenti Donald Trump shkarkoi dy zyrtarë të lartë sigurie të USAID pasi tentuan t’u bllokonin aksesin përfaqësuesve të “Doge”.
Agjencia amerikane USAID është donatori më i madh në botë, teksa gjatë vitit 2023 shpërndau 72 miliardë Dollarë ndihma në mbarë botën.
Por administrata Trump këto donacione i konsideron humbje parash dhe i ka ndërprerë fondet si pjesë e politikës së Trump, “Amerika e para”.
Elon Musk, në detyrën e tij për të ulur shpenzimet federale, ka mbështetjen e plotë të Presidentit Donald Trump.
Ky i fundit, i pyetur të dielën nëse Musk po bën një punë të mirë, Presidenti tha: “Ai po shkurton shumë kostot. Ndonjëherë nuk do të biem dakord me të dhe nuk do të shkojmë atje ku ai do, por unë mendoj se po bën një punë të shkëlqyer. Ai është njeri i zgjuar, shumë i zgjuar. Dhe ai po punon shumë për të shkurtuar shpenzimet e buxhetit tonë federal”.
/tvklan.al